Shkup, 26 nëntor – Në moshën 40 vjeçe ka ndërruar jetë këngëtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi. Shumë figura publike në vend dhe rajoni i kanë shprehur ngushëllime familjes së këngëtarit, duke e vlerësuar për kontributin e jashtëzakonshëm në botën e artit.
Në vazhdim ju sjellim disa nga mesazhet e ngushëllimit të personaliteteve të njohura si dhe një biografi mbi atë se kush ishte Shpat Kasapi.
Ali Ahmeti
Herët Shpat, shumë herët. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe miqve të Shpat Kasapit për ndarjen e tij të papritur nga jeta në moshë kaq të re, shkruan Ali Ahmeti.
Izet Mexhiti
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi. Ikja e tij e papritur ka lënë një boshllëk të madh te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e vlerësonin artin e tij. Shpati la pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut. Muzika e tij është një vlerë që nuk shuhet. Në këtë ditë të rëndë, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi, të afërmve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij, dhe u prehtë në paqe”, ka shkruar Izet Mexhiti.
Afrim Gashi
Lajmi për ndarjen nga jeta të artistit Shpat Kasapi na preku në zemër të gjithëve. Ai ndriçoi skenën dhe zemrat me talentin dhe shpirtin e tij të ngrohtë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë ata që e deshën artin e tij. Kujtimi për të do të mbetet i gjallë përmes këngës së tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Shpatin, shkruan Afrim Gashi.
Bilall Kasami
“Me dhembje të thellë mora lajmin për ikjen nga kjo botë të këngëtarit tetovar Shpat Kasapi. Tetova humbi birin e saj dhe një artist të madh, i cili ndër vite ka qëndruar në majat e suksesit! Ngushëllime familjes, miqëve dhe gjithë qytetarëve të tetovës për këtë humbje kaq të madhe! Allahu e shpërbleftë me xhennet!”, ka shkruar Bilall Kasami, kryetar i Tetovës.
Ziadin Sela
Është e pamundur të gjesh një fotografi më serioze të Shpatit, për të shprehur mërzinë që po ndjejmë sot, sepse ai gjithmonë ka qenë i buzëqeshur dhe as vetë e as të tjerët si ka bërë kurrë të mërziten. Dhimbja e madhe që po vërehet tek të gjithë dëshmon për dashurinë e madhe që kanë pasur ata për Shpatin e që buron nga zemërbardhësia e tij. Një artist me talent, do të kujtohet me mall nga të gjithë që e njohën dhe e deshën. Ngushllimet më të përzemërta familjes për humbjen e më të dashurit të tyre. Bashkëndjejmë me ta dhe me të gjithë miqtë. Qofshë i Parajsës, Shpat, shkruan Ziadin Sela.
Rovena Stefa
“Dhimbje e thellë humbja e mikut tim, kolegut tim të dashur e shpirtbardhë, Shpat Kasapi! Ngushëllime familjes! Qoftë i parajsës!”, ka shkruar Rovena Stefa.
Arbana Osmani
”Lajmi për largimin e parakohshëm nga jeta të Shpat Kasapit… me të cilin kam patur fatin të punoj më shumë se 20 vite më parë në Top Fest dhe ta ftoj në skenë me dhjetëra herë. Faleminderit për muzikën, energjinë dhe buzëqeshjet e pakursyera,” shkruan moderatorja Arbana Osmani.
Big Mama
“O Shpati bre … nuk dua ta besoj. U zgjova me lajmin më të trishtë dhe më të këputë shpirtin. Fëmijëria jonë dhe kujtimet tona sot dhembjin edhe më shumë. Do të më mungosh përgjithmonë, vëlla. Prehu në paqe. Ngushëllime të sinqerta familjarëve… Zoti ju dhëntë forcë e durim në këtë dhimbje”, ka shkruar këngëtarja Big Mama.
Albulena Ukaj
Sot po ndihem e humbur.Ka njerëz që të prekin thellë, që hyjnë në jetën tënde dhe bëhen pjesë e shpirtit tënd — dhe kur largohen, sikur të shkëputet një copë nga vetja jote. Kjo është ajo që po ndjej. Dhimbje, mall, mosbesim… por edhe një mirënjohje të thellë që kam pasur fatin ta quaj shok. Do të më mungojë çdo telefonatë, çdo këshillë, çdo batutë e tij. Do të më mungojë zëri i tij, prania e tij, energjia që sillte kudo. Shpati, shoku im… do të mbetesh përgjithmonë në zemrën time. Faleminderit për gjithçka që ishe. Faleminderit për kohën, për dashurinë, për vëllazërinë. U prefsh në paqe dhe në dritë. Fluturo i qetë, e na ruaj prej lart, ashtu siç dije ti… me zemër të mirë. Ngushellime familjes, shkruan Albulena Ukaj.
Fikret Dauti
Me dhimbje morëm lajmin e ndarjes nga jeta të kolegut tonë, Shpat Kasapi.
Zoti e mëshiroftë dhe i dhëntë xhenet.
Ngushëllime familjes dhe të gjithëve që e deshën, shkruan Fikret Dauti.
Genc Prelvukaj
Kush ishte Shpat Kasapi? Jeta, karriera dhe trashëgimia e një prej këngëtarëve më të dashur shqiptar
Shpat Kasapi ishte një nga emrat më të njohur të skenës muzikore shqiptare, artist që për vite me radhë la gjurmë të forta në muzikën moderne dhe popullore. Me stil unik, zë karakteristik dhe një karrierë të ndërtuar me përkushtim, ai u shndërrua në një ndër figurat më të pëlqyera të publikut në të gjithë hapësirën shqiptare.
I lindur në Tetovë, Shpat Kasapi u rrit me muzikën. Talenti i tij u vërejt që në moshë të re, ndërsa paraqitjet e para në skenë dëshmuan një artist me potencial të madh. Ai u bë pjesë e festivaleve të ndryshme muzikore, ku menjëherë spikati për stilin modern dhe interpretimin e veçantë.
Këngët e tij të para përfituan popullaritet të shpejtë, duke e kthyer Shpatin në një emër të kërkuar nga publiku i ri dhe ai i gjeneratave më të rritura.
Shpat Kasapi numëron dhjetëra projekte muzikore, shumë prej të cilave u shndërruan në hite që ende dëgjohen.
Muzika e tij u shpërnda shpejt në të gjitha trevat shqiptare, duke e bërë një ndër artistët më të transmetuar në radio, televizione dhe platforma muzikore.
Ajo që e veçonte Shpat Kasapin ishte aftësia për të kombinuar stilin pop me elemente të muzikës moderne ballkanike. Ai dinte të përcillte emocion, të krijonte atmosferë dhe të ndërtonte këngë që mbeteshin gjatë në kujtesë.
Koncertet e tij ishin gjithmonë të mbushura, ndërsa fansat e ndiqnin kudo. Karizma në skenë, energjia dhe thjeshtësia e tij e bënin një ndër artistët më të dashur të publikut.
Përveç muzikës, Shpat Kasapi ishte shpesh në vëmendjen e mediave edhe për jetën e tij personale. Megjithatë, ai gjithmonë ruante një komunikim të ngrohtë me fansat, të cilët e mbështetën gjatë gjithë karrierës së tij.
Ai njihej si një djalë i qetë, energjik dhe gjithmonë i përkushtuar ndaj artit dhe familjes.
Edhe pse jeta e tij u ndërpre herët, këngët e Shpat Kasapit vazhdojnë të jetojnë. Ai la pas një diskografi të pasur, një karrierë të ngritur me mund dhe dashuri, dhe mbi të gjitha — një publik që ende e kujton me respekt dhe emocion.
Muzika e tij mbetet pjesë e pandashme e kulturës moderne shqiptare, dhe Shpat Kasapi do të mbahet mend gjithmonë si një prej artistëve që e la skenën shqiptare më të bukur dhe më të pasur.