Gjykata Kushtetuese ka kaluar për shqyrtim në seancë plenare, kërkesën e Sali Berishës, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, për shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme si dhe Gjykatës së Lartë për masën “arrest në shtëpi” ndaj ish-kryeministrit.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve (pa praninë e palëve), si dhe thirrjen si subjekt të interesuar në këtë proces të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si edhe të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjithashtu, sot Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim kërkesën për “Përshpejtimin e gjykimit”, të paraqitur nga Berisha, ka vendosur pranimin e kërkesës për përshpejtimin e gjykimit, si dhe reduktimin e afateve të palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe qëndrimeve të tyre.
Gjykata Kushtetuese ka caktuar zhvillimin e seancës plenare mbi bazë të dokumenteve më datë 27.12.2024, ora 10:00.
Sali Berisha akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Ish-kryeministri u vendos në “arrest shtëpie” pasi theu masën e sigurisë detyrim paraqitjeje disa herë.