Bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama foli sot në studion e emisionit “Opinion”, edhe për ndikimin që mund të ketë ajo në vendimmarrjet e rëndësishme të kreut të qeverisë.
“Unë nuk ndikoj në vendimmarrjet e Edi Ramës në asnjë moment dhe mendoj se nuk ka një njeri që ndikon në vendimmarrjet e Edit. Vendimmarrjet e tij janë institucionale sepse është Kryeministër. Do ulja një përmasë të arsyes, unë përpiqem të jem kjo që jam. Vendimet janë të Edit, sepse përgjegjësia është e Edit”, tha zonja Rama.
Sipas saj, “vendimet janë institucionale dhe të ndara me të gjithë spektrin e vendimmarrësve politikë dhe administrativ. Që në fillim e kam ndarë profilin tim dhe i kam qëndruar, që do të kem një distancë të plotë nga pushteti i Edit. E mbaj në mënyrë të përditshme, sepse e besoj, sepse duhet. Është ajo që populli kur ja jep votën e vet, nuk ja jep në kolektivin familjar, por atë politik. Unë nuk jam vartësja e Edit, këshillimi është institucional, por ka një terren ku mundet gjithkush të gjejë mënyrën që të japë argumentet. Ka fenomene dhe ngjarje që do doja t’i transmetoja, e gjej momentin, sepse ka ngarkesë të jashtëzakonshme sepse është kryeministër”, u shpreh ajo.
Zonja Rama, u pyet nëse është rritur pasuria e saj, si bashkëshortja e kryeministrit.
“Po më pyesni mua nëse kam shtuar pasuri si bashkëshortja e kryeministrit dhe unë po ju them “Jo”. Unë jam njeri që punoj dhe kush punon paguhet, edhe kryeministri është njeri që punon. Në të gjitha të drejtat dhe konventat, thuhet se për punë të barabarta, pagesa duhet të jetë e barabartë dhe kjo u takon grave. Më keni ftuar mua këtu dhe sapo thashë që jam në distancë të plotë me pushtetin.
Në të njëjtën mënyrë po ju them që është e pamundur që të shtohet pasuria e dikujt, sepse ka një funksion publik. Shumë punë që i bëja më parë, nuk i bëj më, ekspertiza, këshillime, vlerësime sepse kam gjykuar se këto nuk duhen bërë sepse kanë hyrë në filtrin tim të seleksionimit”, u shpreh zonja Rama.
Ajo tha se gjëja më e madhe që fiton është djali i saj Zaho dhe Avi, djali i vajzës së saj, Reas. “Kjo është pasuria e vërtetë që zeron çdo problematikë. Kjo është mrekulli që shteron çdo lloj pasurie”, tha zonja Rama.
“Të ardhurat e mia personalisht nga puna dhe ekspertiza janë ulur ndjeshëm dhe për shkak të këtij filtrimi që bëj për të mos marrë përsipër punë që mua nuk më qëndrojnë nga pikëpamja etike. Sa paguhem unë në vit dhe të ardhurat tona janë online, mund t’i dijë gjithkush që është i interesuar për të kuptuar se çfarë të ardhurash financiare kemi në një vit. Marrim dhe punojmë mjaftueshëm për të bërë një jetesë si shtresë e mesme e sigurt”, u shpreh Linda Rama.
E pyetur nëse do të përfshihet në botën e politikës të ardhmen, zonja Rama tha se nuk e mendon një gjë të tillë.
“Unë i kam dhënë politikës nëpërmjet mbështetjes, duke qenë në krah të Edit , unë mendoj i kam dhënë gjithçka. Blendi kjo është si puna e pyetjet për Kamala Harris. Jo unë nuk do të jem ndonjëherë e angazhuar në ndonjë parti politike. Unë e kam zgjedhur rrugën time dhe nuk e kam ndryshuar, kam qenë e qartë në atë që dua të bëj.”