Lufta kundër korrupsionit ashpërsohet duke vijuar hapa konkret në këtë drejtim!

nga I.A

Shkup, 18 shtator – Korrupsioni si fenomen ka depërtuar në çdo pore të shoqërisë prandaj duhet punë serioze dhe me përkushtim e gradule deri në zbutjen e largimin total të këtij fenomeni. Njësia për luftimin e krimeve të rënda dhe të ndërlikuara në kuadër të Prokurorisë Publike të Shkupit tashmë funksionon dhe për të është miratuar plan vjetor. Kjo njësi do të duhet të merret me rastet e kriminalitetit të rëndë dhe të ndërlikuar, por në kuadër të Prokurorisë Publike tashmë ekziston departament për luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryeministri Mickovski që nga ardhja në pushtet ka paralajmëruar betejë të ashpër kundër korrupsionit në çdo fushë, por akoma nuk janë parë lëvizje konkrete në këtë drejtim, shkruan Zhurnal.

Luftë e dyfishtë kundër korrupsionit –

Kryeministri Mickoski që nga ardhja në pushtet ka paralajmëruar betejë të ashpër kundër korrupsionit në çdo fushë, ndërsa në deklaratën e tij të një dite më parë me rastin e 33 vjetorit të pavarësisë tha se “merr përsipër obligim personal që pa kompromis ta udhëheq këtë luftë me vendosmëri, duke theksuar se është problem i gjithë shoqërisë. Qeveria tashmë ka kërkuar shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor, si dhe ka paralajmëruar ngritjen e një organi të posaçëm dhe hapjen e një linje telefonike përmes së cilës qytetarët do të mund të denoncojnë korrupsionin apo sjelljet devijuese në institucione, me qëllim që siç theksohet, te kthehet besimi i qytetarëve në organet gjyqësore, i cili tani është vetëm dy për qind.

Njësia për luftimin e krimeve të rënda dhe të ndërlikuara në kuadër të Prokurorisë Publike të Shkupit tashmë funksionon dhe për të është miratuar plan vjetor, njoftojnë nga Prokuroria për Alsat. Kjo njësi do të duhet të merret me rastet e kriminalitetit të rëndë dhe të ndërlikuar, por në kuadër të Prokurorisë Publike tashmë ekziston departament për luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë, Prokuroria sqaron se dy departamentet do të kenë funksion të ndryshëm me dallime kyçe në funksionimin e tyre.

“Nuk bëhet fjalë për prokurori paralele apo për tjetër prokurori, sepse kompetenca aktuale e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është e paraparë në ligjin për Prokurorinë Publike. Njësia për Krime të Rënda dhe të Ndërlikuara do t’i trajtojë lëndët e ndërlikuara në kompetencë të Prokurorisë Publike të Shkupit, ndërsa lëndët që do t’i trajtojë kjo njësi do të përcaktohen sipas kritereve që janë theksuar në njoftimin e publikuar”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Ish shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit, Villma Ruskovska, nuk e sheh të arsyeshme krijimin e një departamenti të tillë, pasi sipas saj bie ndesh me punën e njësisë tashmë ekzistuese për luftën ndaj krimit të organizuar.

“Mendimi im personal është se ky është institucion paralel. Në anën tjetër, në Prokurorinë Themelore Shkup, si prokuroria më e madhe në vend, deri më tani ka pasur njësi. Nuk e di se cili do të jetë funksioni dhe roli i saj. Atëherë, a duhet të hiqet Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, a nuk duhet të ekzistojë? Sepse në emër të kësaj prokurorie përmendet krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe çfarë do të thotë kjo, në derë të vogël po i hiqen të gjitha kompetencat? Pse, cila është arsyeja e ekzistencës së saj?”, tha Vilma Ruskovska, ish shefe e PNKOK-SË.

Njësia e re për luftimin e krimeve të rënda dhe të ndërlikuara financohet nga buxheti i Prokurorisë Publike, ndonëse nga aty nuk e kanë bërë të ditur shumën, por theksojnë se tashmë disa donatorë ndërkombëtarë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të dhuruar pajisje dhe mjete të tjera. Njësia udhëhiqet nga prokurori publik Vlladimir Millosheski ndërsa krahas tij janë caktuar edhe shtatë prokurorë publik nga prokuroria e Shkupit.

Barometri korrupsionit: më shumë raste të turbullta se sa të pastra –

Barometri për Korrupsion i muajit korrik i përpunuar nga Transparency International-Maqedoni ka regjistruar më shumë raste të “turbullta” se sa të “qarta”. Gjatë aktivitet për monitorimin e rasteve të lidhura me sjelljet korruptive dhe luftën kundër korrupsionit, si raste të trubullta janë evidentuar hetimi nga Prokuroria ndaj dy kandidatëve nga Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, mos dorëzimi i listave anketuese nga gjashtë deputetë të përbërjes së re parlamentare.

“Dosjet për një ish dhe një kandidat aktual të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, Pavel Shatev, janë ndër gjërat e sekuestruara gjatë bastisjes në këtë institucion. Rasti është hapur falë të dhënave që Prokuroria ka marrë nga telefoni i të dyshuari, Naqe Georgiev, gjykatës suprem, ndaj të cilit tashmë po zhvillohet rasti për veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, thuhet në komunikatën për shtyp të TI-së.

Në raste të “pastërta”, Transparent International – Maqedoni përmend kallëzimin penal kundër pesë personave për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe ndaj dy personave për “punë të pakujdesshme në shërbim”, kallëzim penal kundër drejtorit të një konvikti shtetëror studentor në Manastir që dëmtoi buxhetin e MASH-it dhe kallëzim penal ndaj tre policëve që morën ryshfet.

Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, 33 vite shtet, përgjatë gjithë kësaj periudhe është përballë me luhatje e lëkundje të ndryshme që kanë dridhur edhe rrënjët e shtetit, por ja që të gjitha këto kanë qenë edhe të përballueshme e tejkaluese. Por, ajo që nuk po kalon dot e për të cilën mund të konstatohet lirshëm se është “sëmundje” kancerogjene që po dëmton në palcë shtetin tonë, është korrupsioni. Temë e stërfolur por pa ndonjë epilog konkret, komisione të shumta, apele të veçanta, veting i premtuar për çdo vit, e çka jo tjetër, vetëm për t’i shpallë luftë korrupsionit.

Megjithatë, një luftë e tillë ende nuk është parë në terren, ajo që publikohet në rrjete sociale dhe që thuhet në fushatë elektorale është krejtësisht tjetër dhe ka dallim të madh nga ajo që shihet në praktikë. Maqedonia e Veriut shtet i pavarur që 31 vite, që 17 vite shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk ka marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. Kjo mbase edhe nuk po ndodhë rastësisht e as për inati të askujt, po ndodhë sepse Maqedonia e Veriut po ka problem serioz me korrupsionin, e që në BE nuk pranohen shtetet që kanë problem me korrupsionin. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More