Lëvizja Vetëvendosje, mbrëmë vazhdoi në Mitrovicë ritmin e fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, duke mbledhur qindra qytetarë.
Në këtë ngjarje, qytetarët e Mitrovicës shprehën mbështetje të fortë për përkushtimin e qeverisë për zhvillim, sovranitet dhe rend në vend.
Kryetari i Qendrës së Mitrovicës dhe kandidati për deputet, Armend Muja, uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe theksoi se Mitrovica dhe veriu i Kosovës janë thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.
Sipas njoftimit për media thuhet se Muja ritheksoi angazhimin e palëkundur për zhvillimin e këtyre rajoneve dhe avancimin e sovranitetit të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, mori mbështetje të jashtëzakonshme nga të pranishmit, duke folur për progresin në vendosjen e rendit dhe ligjit. Ai tha se përpjekjet për zhvillim vazhdojnë të jenë të fokusuar në çdo cep të Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi angazhimin për drejtësi dhe barazi, duke nënvizuar se qeveria e drejtuar nga Albin Kurti do të vazhdojë të punojë për të avancuar sistemin e drejtësisë dhe për të siguruar zhvillimin e shoqërisë.
Kryeministri Kurti, i cili u prit me ovacione nga qytetarët, u shpreh se, me unitetin e qytetarëve, Kushtetuta dhe sovraniteti i Kosovës janë të paprekshme. Ai kritikoi opozitën për premtimet boshe dhe theksoi se populli i Kosovës nuk pranon më mashtrime dhe hajninë.
“Në fjalimin e tij, Kryeministri Kurti citonte rilindasin shqiptar Faik Konicën, duke e përmendur ndarjen mes kombëtarëve dhe zuzarëve. Ai përmendi se ky është një moment për të mbështetur vlerat kombëtare dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për Kosovën.