Malaj: Rritje e të ardhurave në buxhet, fonde shtesë për zjarrfikësit, policinë dhe arsimin

nga D. V.

Ministri i Financave Petrit Malaj prezantoi sot në Komisionin e Ligjeve ndryshimet në buxhetin e 2025-ës, një nismë e cila vjen kryesisht pas formimit të qeverisë së re.

“Ky akt ka një karakter teknik dhe funksional dhe synon të harmonizojë fondet buxhetore me strukturën e re të qeverisë, duke siguruar një administrim më efikas të tyre për pjesën e mbetur të vitit”, deklaroi ai.

Sipas tij, Ministria e Financave, pas analizës së performancës 9-mujore të buxhetit, ka hartuar një skenar realist dhe të qëndrueshëm që lejon rritjen e disa fondeve shtesë, rialokimin e kursimeve dhe rritjen e efikasitetit të projekteve, pa cenuar ekuilibrat makroekonomikë dhe fiskalë.

Malaj theksoi se, ekonomia shqiptare vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme, me një PBB që pritet të rritet rreth 3.9% deri në fund të vitit 2025, ndërsa borxhi publik qëndron në nivelin 54.1% të PBB-së.

Ministri vuri në dukje se të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet sociale tejkaluan planin, duke krijuar hapësira për mbështetje të pensionistëve me bonusin e fundvitit, përforcimin e skemave sociale, mirëmbajtjen e sistemeve digjitale dhe financimin e projekteve prioritare në infrastrukturë, energji, teknologji dhe shërbime publike.

“Të ardhurat nga tatimet dhe doganat u realizuan në masën 704 milionë lekë shumë se plani dhe nëse do të bëjmë krahasim me të njëjtën periudhë të 2024 kemi arkëtuar 267 milionë euro më shumë. Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore u realizuan në 4 miliardë lekë ose 40 milionë euro mbi planin e periudhës, dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024 kemi realizuar 132 milionë euro më shumë. Në total, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe nga kontributet u mblodhën në masën 449.7 miliardë lekë, duke e tejkaluar planin e periudhës me 47 milionë euro ose 1.1% më shumë”, deklaroi Malaj.

Njësitë e qeverisjes vendore, po ashtu tha Malaj, përfitojnë fonde për shpërblimet e punonjësve të zjarrfikëses në bashkitë e prekura nga zjarret.

”Policia e Shtetit, Garda e Republikës si dhe Gjenda Civile përfitojnë rreth 650 milionë lekë shtesa në buxhet. Kryesisht këto fonde shkojnë për mbulimin e orëve jashtë orarit të forcave policore gjatë sezonit turistik. Ministria e Arsimit përfiton 329 milionë lekë për pagat e mësuesve dhe për financimin e teksteve falas”, u shpreh ministri.

Sa i takon shpenzimeve kapitale, prioritet i është dhënë sektorëve strategjikë, si: infrastruktura, energjia, teknologjia dhe fusha të tjera me rëndësi për zhvillimin e vendit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More