Mall rus i paraqitur si serb, Dogana e Kosovës ndalon tentativën për mashtrim

nga D. V.

Dogana e Kosovës ka ndaluar një rast të tentativës për mashtrim me origjinën e mallit nga një subjekt ekonomik që ka tentuar të importojë pleh kimik me origjinë nga Federata Ruse, duke e paraqitur atë si produkt me origjinë nga Serbia.

Dogana njofton se “Kompania paraprakisht kishte marrë përgjigje negative me shkrim nga Dogana e Kosovës se importi i këtij produkti ndalohet për shkak të sanksioneve ndaj Federatës Ruse, derisa subjekti ka vazhduar me tentativën për të kamufluar origjinën duke ambalazhuar paraprakisht mallin me thasë që mbanin emërtimin e një prodhuesi nga Serbia”.

Dogana ka ndërhyrë me kohë dhe ka ndaluar dërgesat të këtij malli në momentin e hyrjes në Republikën e Kosovës. Me Aktvendim të kundërvajtjes, palës i është urdhëruar kthimi i menjëhershëm i mallit jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se ky rast paraqet një sukses të Doganës së Kosovës në zbatimin efektiv të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Federatës Ruse, në përputhje me vendimet e miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e integritetit të tregtisë dhe në zbatimin e masave ndëshkuese ndërkombëtare, duke parandaluar çdo përpjekje për shmangie apo manipulim të rregullave dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e Doganës.

 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More