Athinë, 1 nëntor – Qëndrimet e kryeministrit Hristijan Mickoski për përdorimin e mbiemrit “maqedonas” dhe termit “Maqedoni” të shprehura në seancën e djeshme të kuvendit kushtuar pyetjeve parlamentare, janë gjetur në një pjesë të edicioneve onlajn të mediave greke, të cilat e transmetojnë tekstin e agjencisë shtetërore të lajmeve ANA-MPA me titullin “Maqedonia e Veriut: Kryeministri Mickoski insiston në termin “Maqedoni”, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

“Shkup: Sulme nga nacionalistët ndaj Mickoskit, sepse shkon për pushime…në Halkidiki”; “Provokim i ri nga Mickoski: Marrëveshja e Prespës nuk e ndalon termin Maqedoni”; “Insiston në Maqedoni Hristijan Mickoski”; “Maqedonia e Veriut: Një provokim i ri i kryeministrit Mickoski – Ai foli sërish për “Maqedoni” dhe “Maqedonas” janë disa nga titujt e mediave në Greqi që morën lajmin nga agjencia shtetërore.

ANA-MPA shkruan se Mickoski ka theksuar se “në çdo deklaratë dhe intervistë të deritanishme e quan Maqedoninë dhe qytetarët maqedonas” dhe në tërësi përcjell një pjesë të qëndrimeve të tij.
“Mund t’ju them se askund në Marrëveshjen e Prespës nuk ndalohet mbiemri “maqedonas” apo “Maqedoni”. Kjo është e rregulluar me nenin 7, paragrafi 2 dhe 3 i Marrëveshjes dhe më në fund mund të pajtohemi që edhe ne kemi të drejtë të përdorim mbiemrin “maqedonas” pasi edhe ata (në Greqi) kanë të njëjtën të drejtë”, tha Hristijan Mickoski nga foltorja e Kuvendi, duke iu përgjigjur të enjten pasdite pyetjes përkatëse të deputetit dhe liderit të partisë opozitare ultranacionaliste “E Majta”, Dimitar Apasiev, i cili e quajti Mickoskin “kryeministër i Maqedonisë së Veriut” dhe e akuzoi se në të kaluarën ai haptazi qëndroi kundër Marrëveshjes së Prespës, tani thotë se e “respekton”, shkruan ANA-MPA.
Në vijim, përcillet qëndrimi i Mickoskit se Apasiev si deputet i Maqedonisë së Veriut çdo muaj nënshkruan për të marrë rrogën e deputetit, por përmend edhe akuzat e ndërsjella për pushimet verore në Halkidiki dhe deklaratën e liderit të së Majtës se ai shkon në Halkidiki sepse është i klasës së mesme .

ANA-MPA kujton se “partia e majtë nacionaliste E Majta” e rriti rejtingun e saj në rreth shtatë për qind në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut.