Kancelari gjerman, Friedrich Merz, theksoi se Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së Izraelit, pas thirrjeve të Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani për të vazhduar mbështetjen e pakushtëzuar për shtetin hebre.
Gjatë ceremonisë për “75-vjetorin e themelimit të këshillit”, presidenti Josef Schuster i bëri thirrje kancelarit Merz të mos largohet nga ky qëndrim, as nga presionet e vendeve të tjera evropiane dhe as nga “ligjvënësit individualë”.
“Gjermania duhet të qëndrojë qartë në anën e Izraelit”, kërkoi ai.
Merz theksoi se duhet kritike ndaj qeverisë izraelite dhe vetë ka shprehur kohët e fundit disa kritika, së bashku me homologët evropianë, për shkak të luftës në Gaza.“Por vendi ynë dëmton shpirtin e vet kur kjo kritikë bëhet pretekst për urrejtje ndaj hebrenjve, ose kur çon në kërkesa që Republika Federale t’i largohet mbêshtjetjes për Izraelin”, tha ai.
“Përkushtimi i Gjermanisë ndaj ekzistencës dhe sigurisë së Shtetit të Izraelit është pjesë e pandryshueshme e themeleve normative të vendit tonë”, shtoi kancelari gjerman.
Gjermania, pjesërisht për shkak të së kaluarës naziste, ka qenë një nga mbështetësit më të rëndësishëm të Izraelit pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.
Ndërkohë që administrata Merz, që mori detyrën në maj, ka qenë më e zëshme se qeveria e mëparshme në kritikën ndaj fushatës izraelite në Rripin e Gazës, Berlini vazhdon të kundërshtojë sanksionet e BE-së ndaj Izraelit mbi sulmet në territorin palestinez.
Schuster pranoi se nuk të gjitha vendimet e qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu janë të kuptueshme dhe se hebrenjtë jashtë Izraelit kundërshtojnë deklarata të disa anëtarëve të kabinetit të tij.
Megjithatë, Gjermania duhet të mbrojë sigurinë e Izraelit, pavarësisht se kush është kryeministër.
Themeluar në Frankfurt vetëm pesë vjet pas Holokaustit nazist, Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani konsiderohet përfaqësuesi politik, social dhe fetar i komunitetit hebre gjerman.
Schuster tha se themelimi i këshillit pas Holokaustit simbolizon mbijetesën dhe rilindjen e jetës hebreje në Gjermani. Ai shtoi se së bashku me sentimentin gjithnjë e më anti-izraelit në vend, antisemitizmi është rritur ndjeshëm në shkolla, universitete dhe rrjetet sociale.
“Antisemitizmi është një sulm ndaj demokracisë. Askush që nxit urrejtje ndaj hebrenjve nuk është demokrat. Askush që sulmon pakicat nuk ka interes për kohezion social,” tha Schuster.
Merz shprehu shqetësimin për antisemitizmin në Gjermani, që sipas tij është bërë më i zëshëm, më i hapur, më i guximshëm dhe më i dhunshëm që nga 7 tetori 2023.
“Restorantet izraelite, vendet e jetës hebreje dhe monumentet e kujtesës hebreje janë dëmtuar dhe kërcënuar. Të gjithë jemi të thirrur të tregojmë guxim qytetar sa herë që jemi dëshmitarë të antisemitizmit, racizmit ose diskriminimit”, shtoi kancelari.
Ai gjithashtu vlerësoi rolin dhe kontributet e këshillit.
“Republika Federale do të ishte përgjithmonë e zhveshur pa jetën dhe kulturën hebreje në vendin tonë. Dua t’u them sot hebrenjve në Gjermani, pa ju, nuk mund të ketë një të ardhme të mirë për Republikën Federale”, përfundoi Merz.