Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka përjashtuar mundësinë që Gjermania të pajiset me armë bërthamore, mes debatit në rritje për një ombrellë të përbashkët bërthamore evropiane.
“Nuk dua që Gjermania të mendojë për të pasur armatim të pavarur bërthamor”, deklaroi Merz në një episod të podcast-it politik “Machtwechsel”, që pritet të publikohet sot.
Kancelari theksoi se Gjermania është e lidhur nga marrëveshje ndërkombëtare që e ndalojnë pajisjen me armë bërthamore, përfshirë marrëveshjen “Dy plus katër”, e cila hapi rrugën për ribashkimin gjerman në vitin 1990, si dhe Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Megjithatë, Merz u shpreh se mund të imagjinojë vënien në dispozicion të avionëve ushtarakë gjermanë për një dislokim të mundshëm të armëve bërthamore franceze ose britanike në kuadër të një skeme të përbashkët parandalimi.
Aktualisht, avionë luftarakë “Tornado “të Gjermanisë janë të vendosur në bazën ajrore ”Buchel”, në perëndim të vendit, për përdorim të mundshëm të armëve bërthamore amerikane në kuadër të NATO-s.
”Në terma teorikë, do të ishte e mundur që kjo të zbatohej edhe për armët bërthamore britanike dhe franceze”, tha ai.
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih javën e kaluar, Merz bëri të ditur se është në bisedime me presidentin francez Emmanuel Macron për një kornizë të përbashkët evropiane të parandalimit bërthamor.
Macron kishte ofruar diskutime të tilla Gjermanisë dhe partnerëve të tjerë të BE-së që në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan Donald Trump.
Propozimi i tij gjeti pak mbështetje nga ish-kancelarja Angela Merkel dhe pasardhësi i saj, Olaf Scholz, përpara se Merz ta rikthente në tryezë ofertën.