Shkup, 27 shtator – Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski dhe Tresha Guenov, zëvendës ndihmës kryesor i Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së për Çështje Ndërkombëtare, hapën në Pentagon konsultimet vjetore dypalëshe të mbrojtjes.
Siç njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes, në hapje të konsultimeve, ministri Misajlovski theksoi rëndësinë thelbësore të bashkëpunimit maqedono-amerikan në mbrojtje, falënderoi për mbështetjen e konsiderueshme në pajisjen dhe modernizimin e Armatës së Maqedonisë, për mbështetjen këshillëdhënëse në reformat e mbrojtjes si dhe për mbështetjen tre dekadëshe dhe kontributin në aktivitetet stërvitore të Armatës dhe të punësuarve në mbrojtje.
Misajlovski tha se me forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë, ne mbetemi të përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit dhe më gjerë.
“Misajlovski konfirmoi përkushtimin e Qeverisë për përmbushje konsekuente të obligimeve nga Samiti i fundit në Uashington, ndërsa konfirmoi projeksionet e Buxhetit të Mbrojtjes për vitin 2025 dhe modernizimin e Armatës dhe vazhdimësinë e proceseve të filluara të përbashkëta”, thuhet në kumtesën e MM-së.
Lidhur me kontributin dhe përkushtimin tonë për sigurinë kolektive, Misajlovski theksoi se kjo mund të shihet përmes pjesëmarrjes së pjesëtarëve të armatës në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni, Rumani dhe Bullgari, në nivel rajonal përmes kontributit në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe në operacionin e BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, ALTEA dhe misionin e KB-së në Liban.
Konsultimet dypalëshe të mbrojtjes u mbajtën në tre sesione, me pjesëmarrjen e delegacioneve të nivelit të lartë nga të dyja palët, të cilat diskutuan bashkëpunimin dhe prioritetet e ardhshme të aleancës, duke përfshirë pjesëmarrjen në stërvitje dhe trajnime të përbashkëta, kontributin për paqen dhe sigurinë globale, forcimin e aftësive tona mbrojtëse si dhe partneritetin e gjatë me Gardën Kombëtare të Vermontit.
Në konsultime përveç ministrit Misajlovski, mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral majori Sashko Lafçiski, zëvendësdrejtori i shtabit të përbashkët J5, për Evropë, NATO dhe Rusi, gjenerali i brigadës Grant Foset, sekretarja e shtetit në Ministrinë e Mbrojtja, Elizabeta Çupovska Ristova, atasheu i mbrojtjes i SHBA-së, Kol. Daniel Skvajers, përfaqësues nga Shefat e Shtabit të Përbashkët, Agjencia për Bashkëpunim për Sigurinë e Mbrojtjes, Departamenti i Shtetit i SHBA-së, Komanda Evropiane e SHBA-së dhe ekipe ekspertësh nga Pentagoni, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Armatës.
Gjatë vizitës në SHBA, ministri Misajlovski realizoi takime pune me Alton Buland, drejtor për politika të BE-së dhe NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes dhe me gjeneral nënkolonelin Xhonatan Stabs, shef i Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së.