Shkup, 16 maj – Plani A është anëtarësimi i plotë në BE dhe nga ai plan shteti nuk do të kthehet dhe nuk ka kurrfarë dileme rreth përkushtimit tonë drejtë rrugës evropiane. Megjithatë, atë që e presim nga Unioni është parashikim, gjegjësisht çështjet dypalëshe të mbeten dypalëshe dhe nuk presim zgjidhje me çdo kusht, porositi shefi i diplomacisë, Timço Mucunski në konferencën e përbashkët për media me homologen e tij austriake, Beate Majnll – Rajsinger.
Mucunski në pyetjen e gazetarëve për porositë nga kryetari i Këshillit të BE-së, Antonio Koshta që shteti të përqendrohet në planin A dhe se në takim me presidenten Gordana Siljanovska Davkova ka thënë se propozimi ndryshime kushtetuese me veprim të shtyrë është i papranueshëm për palën bullgare, përsëriti se qëllimin tonë strategjik për anëtarësim të plotë në BE, vendi ynë e dëshmon në vazhdimësi me hapa konkretë.
“Ne jemi vendi i parë në rajon që nënshkroi Partneritet për Siguri dhe Mbrojtje me BE-në, diçka që tani po dëshmohet të jetë shumë domethënëse në kontekstin aktual. Një vend kryesor sipas qëndrimit të përfaqësuesve të lartë të BE-së në zbatimin e Agjendës së Reformës, e cila është pjesë integrale e Planit të Rritjes. Pra, ne po tregojmë në vepër se Plani A është anëtarësimi i plotë në BE”, tha Mucunski.
Përsëriti se si shtet nga Brukseli presim parashikim dhe çështje dypalëshe që të mbeten në një anë nga procesi i anëtarësimit dhe se janë në komunikim të vazhdueshëm edhe me përfaqësues të BE-së, të vendeve aktuale, si dhe me përfaqësues nga Bullgaria, me çka disa takime janë formale, ndërsa disa të tjera joformale.
“Ne po kërkojmë një zgjidhje që do të na ofrojë parashikim përpara anëtarësimit, respekt për dinjitetin dhe identitetin tonë, si dhe pritjen që shtetet anëtare të BE-së do të respektojnë gjithashtu ato parime që lidhen me të drejtat e pakicave, të cilat ato presin që ne t’i respektojmë. Dhe në këtë kontekst, nëse të gjithë jemi të përkushtuar ndaj rrugës evropiane, besoj se gjithmonë mund të gjendet një zgjidhje racionale që do të jetë e pranueshme jo vetëm për ne si Qeveri, por edhe për të gjithë qytetarët që jetojnë në këtë vend”, theksoi Mucunski.
Ministri theksoi se si Qeveri nuk janë të gatshëm të pranojnë koncesione të cilat shtetin do ta vendosin përsëri në këtë gjendje siç është tani.
“Qëndrimi ynë për këtë çështje është shumë i qartë, dhe as qytetarët nuk duhet të kenë dilemë këtu, as ju si media. Gjithmonë do të ketë dialog dhe gjithmonë do të punojmë, por do të përsëris diçka që e kam thënë gjithmonë – jo një zgjidhje me çdo kusht dhe zgjidhje që do të jenë gjithashtu një rrezik dhe një pengesë si kjo zgjidhja e vitit 2022, e cila tani po dëshmohet në praktikë si një zgjidhje që krijon probleme shtesë midis vendeve, në vend që të jetë një hap përpara”, theksoi Mucunski.
Kryetari i Këshillit Evropian, Koshta, tha dje gjatë vizitës së tij në Shkup se procesi i integrimit evropian të vendit ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë dhe se tani është koha për të dhënë rezultate. Në pyetjen e gazetarëve nëse ekziston Plan B për të kapërcyer kërkesat nga ana e Bullgarisë, Koshta theksoi se Plani A nuk duhet nënvlerësuar dhe se duhet të përqendrohemi në zbatimin e tij. Kryeministri Mickoski, ndërkohë, në konferencën e përbashkët për medie me Koshtën, shfaqi shpresën se në periudhën e ardhshme do ta zhbllokojmë bashkërisht këtë proces. Kryeministri kujtoi se Koshta përcolli qëndrimin e BE-së, ndërsa Qeveria përcolli qëndrimin tashmë të njohur, domethënë se nuk mund ta ndryshojmë Kushtetutën pa parë një rezultat të qartë nga pala tjetër.