Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani është dërguar për gjykim nën akuzë për mosdeklarim të pasurisë.
Pas hetimit pasuror, SPAK ka dërguar dosjen në GJKKO ku tashmë pritet të vendoset seanca paraprake për të vlerësuar nëse kalon ose jo për gjykim.
Dogjani, në prononcimet për mediet ka pranuar se është nën hetim pasuror nga SPAK, që e akuzon se nuk ka deklaruar shtëpinë 100 metra katrorë që ka blerë në vitin 2006.
Sipas Dogjanit, kallëzimi u bë nga ndërtuesi Ilirian Çelaj, të cilin ai e quan ‘zaptues’ pasi më parë e ka paditur për grabitjen e hapësirës publike para pallatit ku banon duke e kthyer në parkim me pagesë.