Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati, me një status në Facebook ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, duke theksuar se ajo po tejkalon kompetencat e saj ligjore dhe statutore.
“Nuk ka asnjë nen në Ligjin për Qytetin e Shkupit dhe as në Statutin e Qytetit që e detyron apo e autorizon znj. Arsovska të veprojë si inspektore nëpër komuna. Nga kryetarja kërkohet vetëm të respektojë nenin 34 të Statutit, i cili i përcakton qartë rolin e saj në bashkëpunim me kryetarët e komunave përmes trupit koordinues,” deklaroi Nevzati.
Ai shtoi se për katër vite mandat, znj. Arsovska ka organizuar vetëm 3 mbledhje koordinuese, ndonëse ky trup duhej të funksiononte rregullisht për të siguruar bashkërendim mes njësive të ndryshme lokale në territorin e Shkupit.
“Nëse do të kishte mbajtur qoftë edhe 40 mbledhje koordinuese që nga fillimi i mandatit, sot nuk do të kishim paqartësi për punën e asnjërit prej 10 kryetarëve të komunave,” u shpreh ai.
Nevzati publikoi edhe pjesë nga Statuti i Qytetit të Shkupit për të dëshmuar se kompetencat e kryetares janë të kufizuara dhe të përcaktuara qartë me ligj. Ai i bëri thirrje znj. Arsovska të përmbushë detyrimet e saj statutore në vend që të ndërhyjë në punët e komunave në mënyrë selektive dhe jashtëligjore.
Në fund theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të bazohet në ligj dhe respekt të ndërsjellë, dhe jo në spektakle politike apo përplasje të panevojshme që dëmtojnë funksionimin demokratik të institucioneve lokale.
https://www.facebook.com/share/153QrYefa6/