Një tragjedi e ngjajshme si e Koçanit edhe në Goa të Indisë, 25 të vdekur dhe shumë të plagosur në diskotekë…

nga Xh M

Zjarr në një nightclub në Goa: të paktën 25 të vdekur, shumë të bllokuar në bodrum. Hapet hetim për sigurinë e lokalit dhe mundësitë për neglizhencë.

Të paktën 25 persona kanë vdekur nga një zjarr që shpërtheu natën e kaluar brenda lokalit Birch by Romeo Lane, një restorant dhe nightclub shumë i frekuentuar në Arpora, në veri të Goas, Indi. Mes viktimave ka punonjës të lokalit dhe turistë, ndërsa procesi i identifikimit është ende në zhvillim.

Zjarri dyshohet të ketë nisur rreth mesnatës, ndoshta nga kati i parë i ndërtesës, dhe më pas është përhapur me shpejtësi në të gjithë objektin. Flakët u kanë pamundësuar shpëtimin personave që ndodheshin në hapësirat nëntokësore, të cilat nuk kishin dalje emergjente dhe u mbushën shpejt me tym. Sipas autoriteteve, shumë punonjës të bllokuar në bodrum dyshohet të kenë vdekur nga asfiksia. Edhe disa klientë që kërkuan të strehoheshin në atë zonë mbetën të bllokuar.

Zjarrfikësit ndërhynë për orë të tëra për të vënë flakët nën kontroll dhe për të arritur tek të mbijetuarit. Pamjet e publikuara më vonë tregojnë një godinë të shkatërruar pothuajse tërësisht, me fasadën e nxirë dhe të dëmtuar.

Kryeministri i Goas, Pramod Sawant, e quajti ditën “jashtëzakonisht të dhimbshme” dhe njoftoi hapjen e një hetimi për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësitë. Ai theksoi se çdo neglizhencë do të ndiqet penalisht. Edhe kryeministri indian Narendra Modi shprehu ngushëllime, duke e cilësuar ngjarjen “tronditëse”.

Goa, ish-koloni portugeze buzë Detit Arabik, është një nga destinacionet turistike më të famshme të Indisë, e njohur për jetën e natës, plazhet dhe atmosferën e qetë. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, shteti ka pritur rreth 5.5 milionë turistë, përfshirë mbi 270 mijë të huaj. Ngjarja ka rritur shqetësimet mbi sigurinë në klubet e natës. Rreziku nga zjarret në Indi mbetet i lartë për shkak të ndërtesave jo të standardizuara, kontrollit të dobët dhe mungesës së daljeve emergjente. Në muajt e fundit, disa zjarre në hotele dhe ambiente publike kanë shkaktuar dhjetëra viktima në qytete të ndryshme.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More