Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është mbajtur seanca e radhës e megaprocesit “Plumbi i Artë”. Gjatë kësaj seance, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka vijuar dhënien e përgjigjeve për pyetjet e drejtuara nga avokatëve e të pandehurve.
Dumani ka përshkruar detaje të reja lidhur me njohjen dhe bashkëpunimin e tij me individë të njohur në botën e krimit, përfshirë Talo Çelën dhe Erion Alibeajn. Ai ka sqaruar gjithashtu se si është informuar miku i tij Fatmir Troplini, në lidhje me planet që Talo Çela po bënte për eliminimin fizik të tij.
Dumani rrëfeu dhe vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Ai tha se një nga makinat që u përdor për vrasjen e Bujar Çelës, një Renault, u mor nga njerëzit e Vis Martinit. Sipas tij, ky automjet ishte planifikuar fillimisht për t’u përdorur në vrasjen e Preng Gjinit, por pasi ky atentat nuk u realizua, automjeti u përdor për ekzekutimin e Bujar Çelës.
Ai ka theksuar se vrasjen e vëllait të Talo Çelës e ka kryer pa pagesë, por për hakmarrje për vrasjen e Klevis Kapllanit.
“Unë për vrasjen e vëllait të Talos nuk mora asnjë lek, sepse u përfshiva për hakmarrje pasi u vra Klevis Kapllani. Paratë për vrasjen e Bujar Çelës i kanë sjellë të nesërmen në Vorë me një makinë, i ka paguar Erjon Alibej,” tha ai.
Gjithashtu, Dumani ka treguar se Talo Çela kishte urdhëruar Altin Ndocin të vriste vëllanë e tij.
Kur është pyetur nga avokatët lidhur me bisedat e tij me Enver Divën, Dumani ka sqaruar: “Flisnim për vrasje me pagesë, jo për politikë.”