Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët e tyre, kanë zhvilluar një plan garancie sigurie për Ukrainën që kërkon një forcim të konsiderueshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, vendosjen e trupave evropiane në vend dhe përdorimin në rritje të inteligjencës amerikane.
Lajmi u bë i ditur nga gazeta New York Times, e cila raporton zyrtarë të njohur me dokumentet e draftit.
Sipas raportit, ‘’diplomatët amerikanë dhe evropianë që u takuan me udhëheqësit ukrainas gjatë dy ditëve të fundit në Berlin në thelb ranë dakord për dy dokumente që përshkruajnë garancitë e ardhshme të sigurisë’’.
Ato janë hartuar për të shërbyer si gurthemeli i një marrëveshjeje më të gjerë që synon arritjen e një armëpushimi dhe përfundimin e luftës.
Dokumentet synojnë gjithashtu të bindin Ukrainën të lëshojë territore të caktuara si pjesë e një marrëveshjeje paqeje dhe të heqë dorë nga anëtarësimi formal në NATO.
Në të njëjtën kohë, New York Times vëren se ‘’një armëpushim i plotë mbetet i pamundur për momentin, pasi Rusia nuk është palë në këto bisedime dhe nuk ka treguar gatishmëri për kompromis’’.