Shkup, 25 janar – Hetimi i fundit ndaj gjyqtarit Ristov ka rihapur seriozisht dyshimet për korrupsion të thellë brenda sistemit gjyqësor. Sipas organizatës joqeveritare “Të gjithë për gjykim të drejtë”, ky rast nuk duhet të trajtohet si incident i izoluar, por si tregues i qartë i dështimeve sistemike në kontrollin e integritetit dhe llogaridhënies në gjyqësor. Sipas, Darko Avramovskit, nga kjo organizatë fakti që në vitet e fundit disa gjyqtarë janë dënuar, ndërsa ndaj të tjerëve po zhvillohen hetime për korrupsion, tregon se problemi është më i gjerë dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e përzgjedhjes, avancimit dhe mbikëqyrjes së gjyqtarëve.
“Fakti që gjatë 5–6 viteve të fundit kemi tre gjyqtarë të dënuar me vendime të formës së prerë dhe dy gjyqtarë kundër të cilëve procedurat penale për vepra të lidhura me korrupsionin janë ende në zhvillim, është shqetësues. Por ajo që është edhe më alarmante është se raste të tilla shpesh trajtohen si incidente të izoluara, në vend që të shihen si simptomë e një problemi më të thellë sistemik me të cilin përballet gjyqësori ynë. Nëse kjo vendoset në kontekst me skandalet që kemi pasur ndër vite, që lidhen me pranimin e kandidatëve në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, me përzgjedhjen dhe avancimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, me procedurat e shkarkimit, me procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, si dhe me vetë skandalet që lidhen me funksionimin e këtyre organeve dhe institucioneve, atëherë këto lëndë penale për korrupsion kundër gjyqtarëve aktivë nuk duhet të shihen si incidente të izoluara.”, u shpreh Darko Avramovski nga OJQ “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
Sipas tyre, pavarësia e gjyqësorit nuk mund të shërbejë si mburojë për mosndëshkimin, por duhet të nënkuptojë edhe përgjegjësi të brendshme dhe përballje të hapur me korrupsionin në radhët e veta. Nga kjo organizatë e shohin të nevojshme forcim urgjent të mekanizmave të verifikimit të pasurisë, kontroll të integritetit dhe transparencë të plotë në punën e institucioneve gjyqësore.
“Pavarësia e gjyqësorit nuk nënkupton gjithmonë vetëm mbrojtje nga ndikimet apo presionet e jashtme politike, por gjithashtu do të thotë edhe përballje me korrupsionin brenda vetë radhëve të tij. Në këtë kuadër, do të ishte e dëshirueshme të shihnim lëvizje konkrete në këtë drejtim, përfshirë forcimin e mekanizmave për verifikimin e integritetit, rritjen e llogaridhënies, rritjen e transparencës, koordinimin ndërmjet të gjitha këtyre institucioneve, si dhe ndjekjen dhe vlerësimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, me qëllim parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen.”, tha Avramovski.
OJQ-ja paralajmëron se numri i vogël i dënimeve për korrupsion nuk është dëshmi e mungesës së korrupsionit, por, siç theksojnë edhe Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, tregues i paaftësisë së sistemit për t’u përballur realisht me këtë fenomen.