Shkup, 4 dhjetor – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që kërkon kthimin e menjëhershëm, të sigurt dhe pa kushte të të gjithë fëmijëve ukrainas të transferuar ose deportuar me forcë nga Rusia gjatë luftës në Ukrainë.
Rezoluta, e hartuar nga Ukraina, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian, u miratua nga 91 shtete në mesin e tyre e Maqedonia e Veriut, 57 abstenuan, ndërsa Rusia dhe 11 vende të tjera votuan kundër. Megjithëse rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese, ajo i bën thirrje Rusisë të ndalojë këtë praktikë.
Ukraina akuzon Rusinë për rrëmbimin dhe transferimin e dhjetëra mijëra fëmijëve, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër arresti për Putinin për krime lufte lidhur me deportimin e paligjshëm të fëmijëve. Rusia mohon akuzat, duke thënë se po “mbronte fëmijët e cenueshëm nga zonat e luftës”.