Partia Demokratike ka vendosur që të kërkojë përsëritjen e seancës së sotme plenare në të cilën u miratua programi i ri qeverisës dhe përbërja e Këshillit të Ministrave për katër vitet e ardhshme.
Kështu bëri të ditur në një prononcim për mediet, kreu i grupit parlamentar në PD, Gazment Bardhi pas mbledhjes së grupit parlamentar.
“Kërkojmë përsëritjen e seancës solemne kushtetuese parlamentare të paraqitjes së programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”, tha Bardhi.
Bardhi gjithashtu i bëri thirrje Presidentit që të mos thërrasë për betim anëtarët e propozuar të Këshillit të Ministrave.
“I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës, të marrë praktikën parlamentare të asaj që ndodhi për të konstatuar që votimi është tërësisht antikushtetues, dhe të mos thërrasë për betim anëtarët e propozuar të Këshillit të Ministrave të Kryeministrit pa patur një procedurë korrekte parlamentare”, tha Bardhi.
Bardhi theksoi gjithashtu se grupi parlamentar i PD-së do të nisë procedurat parlamentare për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi për shkelje të Kushtetutës.
“Grupi parlamentar i PD-së ka vendosur nisjen e procedurave parlamentare të mocionit për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, për shkak se nuk është Kryetar i Kuvendit, por është një kukull që urdhërohet si duhet të sillet me Kushtetutën dhe Rregulloren. Është akti më i rëndë, nuk ka ndodhur kurrë që të drejtosh dy seanca dhe në të dyja të shkelësh Kushtetutën e Shqipërisë”, tha Bardhi.
Edhe kreu grupi parlamentar i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha sot se PL i bashkohet qëndrimit të grupit parlamentar të PD-së.
“Kërkesë për përsëritjen e seancës, thirrje Presidentit për mosthirrjen për betim të Këshillit të Ministrave, nisja e procedurës parlamentare për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit”, tha Blushi.
Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, u zhvillua pak minuta pas mbylljes së seancës në Kuvend, ku u miratua me 82 vota pro pogrami qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe përbërja e Këshillit të Ministrave.
Seanca zgjati vetëm 25 minuta, pasi opozita bllokoi foltoren dhe nuk lejoi vijimin e prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri Edi Rama. Po ashtu, deputetë të opozitës hodhën librin e Kushtetutës dhe sende të tjera në drejtim të kryeministrit dhe të anëtarëve të qeverisë. Shkak i tensioneve ishte kundërshtia e opozitës për emërimin e Diellës si ministre për Inteligjencën Artificiale. Ndërsa mazhoranca kërkoi kalimin në proces votimi. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi hodhi në votim programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, që u votua me 82 vota nga mazhoranca, teksa opozita abstenoi.