Opozita zhvilloi sot protestën e 34-rt përpara bashkisë së Tiranës.
Gjatë protestës deputetët e opozitës kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e akuzuar atë se është i përfshirë në korrupsion.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se “po qëndroni këtu prej muajsh në një qëndresë heroike kundër simbolit më të urryer të korrupsionit, përpara kësaj grope septike korrupsioni, që vitin e ardhshëm parashikon të vjedhë edhe 500 milionë euro taksa tuajat”.
“Drejtësinë duhet ta bëjmë ne. Drejtësinë duhet ta bëjë populli. Besoj e morët vesh se kush do të jenë 12 drejtorët e rinj të Policisë së Shtetit. Të gjithë të lidhur me krimin e organizuar”, tha Blushi.
Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu theksoi se beteja nuk do të ndalet, derisa hajdutët të përfundojnë në burg.
“Shqiptarët protestojnë për drejtësi. Në burg shkojnë ata që denoncojnë krimin e tyre, këtu nuk ka drejtësi, sepse këtu ka Skap, nuk ka drejtësi, sepse këtu ka Duman”, tha Balliu.
Teksa po zhvillohej protesta e PD-së para bashkisë së Tiranës, një efektivi të policisë i ka rënë të fikët dhe i është dhënë ndihma e parë nga kolegët.
Opozita prej disa muajsh po proteston përpara bashkisë së Tiranës kundër korrupsionit si dhe kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.