Orhan Murtezani: Tani është momenti ideal për të ecur shpejt drejt anëtarësimit të plotë në BE

nga Xh M

Bruksel, 21 shtator – Përkushtimi i Qeverisë së re për anëtarësimin e shpejtë të vendit në BE u theksua edhe një herë në takimet e sotme me përfaqësuesit e lartë të Unionit, deklaroi Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, i cili sot shoqëroi Kryeministrin Hristijan Mickoski gjatë vizitës së tij pune në Bruksel.

Këtë e kemi dëshmuar me faktin që në programin qeveritar, ndër prioritetet kryesore është anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe me miratimin e shpejtë të agjendës reformuese që është pjesë e Planit të Rritjes, tha Murtezani.

Sipas tij, ky Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i propozuar nga Komisioni Evropian, përfaqëson një kornizë përmes së cilës BE trajton vendet e rajonit në mënyrë të ngjashme me vendet anëtare, duke marrë parasysh që shumica e fondeve që do të jenë në dispozicion janë në nivel të ngjashëm me ato që marrin vendet anëtare të BE-së.

Duke shtuar zhvillimet gjeopolitike dhe përparësinë e BE-së për politikën e zgjerimit, mendoj se është momenti ideal për vendin tonë të ecë shpejt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, theksoi Murtezani.

Murtezani, së bashku me Ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucinovski, shoqëruan Kryeministrin Mickoski në takimet e sotme në Bruksel me Presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtoratit për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), Gert Jan Koopman. Më herët, kryeministri mori pjesë edhe në një drekë pune me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së bashku me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More