Para dy viteve 66 për qind e rinisë dëshironte të largohet nga vendi, tani 42 për qind! Shifrat janë ulur dukshëm, por ende janë në nivel shqetësues!

nga I Z

Shkup, 24 tetor – Në një studim të realizuar në të gjitha vendet e Evropës Juglindore, 42.67 për qind e të rinjve nga Maqedonia e Veriut shprehën dëshirën për t’u larguar nga vendi për shkak të standardit dhe kushteve të dobëta sociale, jetësore dhe ekonomike, tregojnë të dhënat nga hulumtimi i “Fondacionit Friedrich Ebert”. Ana pozitive e këtij studimi është se kjo përqindje paraqet rënie në krahasim e dy vite më parë, kur një studim tregoi se dy të tretat (66 për qind) e të rinjve në vend patën shprehë dëshirë të largohen dhe ardhmërinë e tyre ta kërkojnë në vend tjetër. Por ana negative e rezultateve të studimit është se në Maqedoninë e Veriut kjo përqindje ende është më e larta në gjithë Evropën Juglindore, shkruan Zhurnal.

Sipas rezultateve të “Studimit për të rinjtë nga Evropa Juglindore 2024”, vendin e radhës në listë e zë Bosnje dhe Hercegovina, ku janë deklaruar se do të emigronin 31.18 për qind e të rinjve dhe në Shqipëri kjo përqindje është 36.9.

Ndërsa për vendet e tjera të rajonit, në Kroaci 21.62 për qind e të rinjve shprehin dëshirë për t’u larguar nga vendi.

E njëjta situatë është edhe në Kosovë, ku 27.83 për qind e të rinjve janë të pakënaqur me standardin e jetesës.
Në Serbi dhe Slloveni, 25 për qind e të rinjve shprehën dëshirën për t’u larguar nga vendi, ndërsa në Greqi ky numër është 31.26 për qind.
Në Bullgari dhe Rumani, sondazhi tregoi gatishmërinë më të vogël të të rinjve për t’u larguar nga vendet e tyre.

Sondazhi u krye në një kampion prej 8.943 të rinjsh nga Evropa Juglindore, nga mosha 14 deri në 29 vjeç dhe tregoi se 23 për qind e tyre e shohin pagën më të mirë si një nga arsyet kryesore për t’u larguar nga vendi.

Në vitin 2022 disponimi ishte dhe më negativ, sepse përqindja e të rinjve që donin të largohen nga vendi ishte gati 25 për qind më e lartë.

“Sipas një sondazhi të fundit nga Fondacioni ëestminster për Demokraci, dy të tretat e të rinjve duan të largohen nga vendi dhe, nëse u jepet mundësia, do të largohen. Qëndrime të tilla bazohen në cilësinë e dobët të arsimit që marrin të rinjtë në vend, shkallën e lartë të papunësisë tek të rinjtë dhe të ardhurat e ulëta që kanë të rinjtë. Shkalla e lartë e korrupsionit na ka sjellë në një situatë ku më shumë se 83% e të rinjve nuk u besojnë institucioneve”, pat deklaruar asokohe drejtoresha Ekzekutive e Forumit Rinor Arsimor (FAR), Teodora Stolevska, duke prezantuar rezultatet e anketës gjatë një debati në Kuvend.

Çdo studim dhe sondazh që bëhet në këtë temë, tregon të njëjtën gjë, e ajo është se rinia e vendit dëshiron të largohet në drejtim të vendeve perëndimore, respektivisht vendeve të BE-së. Kjo tregon se përshpejtimi i integrimit të vendit në BE do të ulte këtë trend dhe rinia në përqindja shumë më të madhe ardhmërinë do ta shihte në vendlindje, e jo jashtë kufijve.

E deri sa procesi i euroinegrimit është në një status quo, për shkak të kushtit për ndryshimet kushtetuese, është mirë që zyrtarët në vend mbeten të përkushtuar për plotësim të kritereve dhe standardeve që kërkon anëtarësimi në BE, gjë që e ka theksuar edhe kryeministri Hristijan Mickoski, pas takimit të sotëm me kryekomesaren evropiane, Ursula fon der Lajen.

Duke u përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse në BE ka disponim për planin për ndryshime kushtetuese me veprim të anuluar dhe nëse do të merrnin ndonjë garanci nëse ato zbatohen, se nuk do të ketë kërkesa të reja nga Bullgaria, Mickoski përmendi se vetëm me atë sinergji do të arrihet deri në qëllimin përfundimtar e ajo është që venndi të bëhet pjesë e familjes evropiane.

“Mendoj se kryetarja ishte shumë e qartë dhe e saktë në konferencën për shtyp. Ne duhet të punojmë, edhe atë shumë për të arritur qëllimin, dhe qëllimi është rajoni dhe ne të jemi pjesë e familjes evropiane dhe BE-së. Ne si Qeveri do të vazhdojmë të ndajmë vlerat evropiane. Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta afruar BE-në me qytetarët, gjë që është edhe detyrë edhe dëshirë, sepse më shumë se 75 për qind e qytetarëve e shohin të ardhmen si pjesë e familjes evropiane. Unë si kryetar i Qeverisë do të vazhdoj të punoj ekskluzivisht në interes të qytetarëve dhe ajo që për ta është prioriteti i parë dhe prioriteti i tyre i parë është të jetojnë më mirë në të njëjtën kohë, të sundojë ligji, të arrihen reforma, vlerat evropiane të jenë pjesë e përditshmërisë sonë, por në të njëjtën kohë të ruajmë krenarinë, dinjitetin, të mos poshtërohemi dhe të mos mposhtemi. Dhe mendoj se nëse bëjmë një sinergji të mirë, për të gjitha këto për të cilat fola në përgjigje të pyetjes suaj, mendoj se do të arrijmë qëllimin përfundimtar dhe qëllimi përfundimtar është që sa më shpejt që është e mundur të jemi pjesë e familjes evropiane”, theksoi Mickoski.

Edhe porosia e kryekomesares Fon der Lajen ishte inkurajues, duke thënë se “ne kemi qëllim të njëjtë”, ndërsa ai është të hapet klasteri i vlerave fundamentale sa më shpejtë të jetë e mundur.

“I dashur Hristian, të jeni i sigurt se zgjerimi do të mbetet prioritet kryesor i Komisionit evropian në pesë vitet e ardhshme. Tani i kemi të gjitha veglat dhe instrumentet e duhura që ta mundësojmë atë”, tha Lajen, duke iu drejtuar kryeministrit Mickoski, por pa harruar të rikujtojë se nevojitet plotësimi i kushtit për ndryshimet kushtetuese.

Në ndërkohë, në këtë temë kemi një qasje të re të faktorit politik shqiptar në Qeveri, që për dallim nga përfaqësuesit tanë të mëhershëm në ekzekutiv, shprehin më tepër mirëkuptim për një zgjidhje që nuk do të pasohej me kushte të reja pasi të bëhen ndryshimet kushtetuese, shkruan Zhurnal. Ky qëndrim i faktorit qeveritar shqiptar nga njëra anë komentohet si afrim me “qëndrimin antieuropian” të VMRO-DPMNE-së. Por nga ana tjetër nuk janë të paktë njohësit e rrethanave që vlerësojnë se ky qëndrim i partive shqiptare në pushtet mund të konsiderohet si një hap që relakson procesin, sepse qëndrimi më i “ashpër” i qeveritarëve të kaluar shqiptar vetëm provokonte rritje shtesë të rezistencës tek maqedonasit kundër ndryshimeve kushtetuese, pa pasur kurrfarë mekanizmi real për të krijuar teren të përshtatshëm për të kaluar ndryshimet në Kuvend./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More