Partia Demokratike i ka dërguar një kërkesë zyrtare me shkrim për informacion Ministrisë së Brendshme në lidhje me planin për të ngritur 20 qendra të reja emigrantësh në Shqipëri.
Kërkesa është bërë nga Klevis Balliu, në cilësinë e zëvendës kryetarit të Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balliu shkruan se “qeveria ka miratuar planin për ngritjen e 20 qendrave të reja të emigrantëve në Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, pa transparencë dhe pa garanci sigurie. Ky vendim rrit rrezikun për komunitetet lokale në një kohë kur rendi publik është në krizë dhe policia nuk garanton dot sigurinë elementare në qytetet tona”
“Të hapësh kampe me qindra persona nga zona të konfliktit, pa u konsultuar me qytetarët dhe pa një plan të qartë sigurie, pa transparencë, është papërgjegjshmëri e rëndë”, thekson Balliu.
Balliu bëri të ditur se ka kërkuar informacion të detajuar mbi masat e sigurisë, kapacitetet e policisë, arsyetimin e vendimit dhe koston e projektit.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë po ndodh me sigurinë e tyre dhe pse qeveria merr vendime të tilla në mënyrë të fshehtë”, thekson Balliu.