PD kërkon thirrjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut

nga D. V.

Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i kanë kërkuar zyrtarisht Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, thirrjen e mbledhjes së këtij këshilli për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit ndaj zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku.

Në shkresën drejtuar Peleshit, përfaqësuesit e opozitës kërkojnë që mbledhja të zhvillohet ditën e premte, më 26 dhjetor 2025, në orën 11:00, me rend dite vijimin e shqyrtimit të kërkesës të paraqitur nga SPAK.

Sipas demokratëve, kërkesa mbështetet në nenin 13 të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin shqyrton kërkesat e prokurorisë për autorizimin e Kuvendit lidhur me arrestimin, heqjen e lirisë apo ushtrimin e kontrollit ndaj një deputeti.

Sipas deputetëve demokratë, në pikën 6 të këtij neni, parashikohet se Këshilli mblidhet ose me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit, ose me kërkesë të 1/2 së anëtarëve të tij, ndërsa thirrja e mbledhjes në këtë rast konsiderohet e detyrueshme.

Në dokument theksohet se Këshilli ishte mbledhur më 19 dhjetor 2025 për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, por se mbledhja u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga Kryetari i Kuvendit, pa u caktuar një datë tjetër, me argumentin se palët duhej të njiheshin me dokumentacionin shoqërues.

Sipas opozitës, periudha më shumë se një javë është e mjaftueshme për këtë qëllim, duke iu referuar edhe precedentëve parlamentarë të mëparshëm, ku afatet kanë qenë 48–72 orë.

Demokratët vënë në dukje gjithashtu se SPAK ka theksuar karakterin urgjent të kërkesës, duke kërkuar që çështja të shqyrtohet brenda 3–5 ditëve, për shkak të rrezikut të cenimit të hetimeve.

Në shkresë përmendet edhe pretendimi i Prokurorisë së Posaçme se, sipas metodave speciale të hetimit, Balluku dyshohet se po intimidon dëshmitarë ose po prish prova.

Në përfundim, anëtarët e PD-së në Këshill kërkojnë njoftimin zyrtar të datës, orës dhe rendit të ditës për të gjithë anëtarët e Këshillit, përfaqësuesit e SPAK, si dhe për deputeten Belinda Balluku dhe përfaqësuesin e saj ligjor, në mënyrë që të garantohet e drejta e mbrojtjes.

Ata i bëjnë thirrje Kryetarit të Kuvendit të zbatojë Rregulloren dhe të mos e kthejë Kuvendin, sipas tyre, në pengesë për drejtësinë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More