Partia Demokratike ka denoncuar sot problemet që po ndodhin në procesin e votimit nga jashtë.
Gjatë një konferencë për mediet, Drejtuesja Politike e PD-së për Diasporën, Jozefina Topalli dhe përfaqësuesi Ligjor i PD në KQZ, Franc Nuri kanë denoncuar një sërë shkeljesh dhe problematikash që po shoqërojnë procesin e votimit në jashtë.
“Shfrytëzoj rastin për t’i bërë thirrje kësaj qeverie që të marrë përgjegjësinë për të përmbushur detyrimet e saj ligjore dhe logjistike. Shkelja e afateve dhe standardeve të përcaktuara me ligj është një kërcënim serioz ndaj votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe, në këtë mënyrë, cenon rëndë integritetin e këtyre zgjedhjeve”, tha Topalli.
“Por, duke thënë këtë, në të njëjtën kohë dua të përsëris mirënjohjen dhe respektin e thellë për të gjithë shqiptarët që, në mënyrë masive, po votojnë, po sakrifikojnë dhe po sfidojnë vështirësitë, edhe pse nuk e kishin për detyrim. Me votën e tyre, me zarfin që e dërgojnë në Shqipëri, ata duket se do të përmbysin regjimin që i përjashtoi, që i dëboi nga vendi i tyre”, vijoi ajo.
Topalli tha se “ne e shohim me pozitivitet këtë proces votimi që po ndodh kudo nëpër botë”.
“Kjo kërkon mirënjohje. Kjo është një ngjarje historike. Shqiptarët po votojnë në një akt të fortë drejtësie, në një akt historik për t’iu kundërvënë dëbimit që u është bërë për vite me radhë, më shumë se një milion shqiptarëve, jo thjesht si emigrim ekonomik, por si një proces që ka marrë përmasa të një spastrimi etnik”, u shpreh Topalli.
Nga ana e tij, Nuri tha se janë konstatuar probleme vonesash në dërgimin e fletëve të votimit nga DHL, shpesh përtej afatit ligjor.
“Mungesë njoftimi për dërgesën. Votuesit nuk u informuan me e-mail apo telefon për afatet. Dërgesa të paautorizuara, zarfet u lanë te dera, në oborr, në kazanë mbeturinash ose iu dorëzuan fqinjëve. Mungesë materialesh votimi, zarfet mbërrinin bosh ose pa fletë votimi. Dublikim dhe gabime në përmbajtje, dy fletë për një person ose emra të gabuar në fletë votimi, ndërhyrje politike në procesin e shpërndarjes etj.”, tha ai.
Sipas Nurit, KQZ nuk po mbikëqyr dhe nuk po kontrollon si po vepron nënkontraktori DHL dhe si po zbatohet praktikisht në terren, rast pas rasti, shpërndarja e votave dhe e materialeve zgjedhore në përputhje apo jo të plotë me Kodin Zgjedhor, aktet e Rregullatorit dhe standardet ndërkombëtare.
“Përfshirja e individëve të paautorizuar në Greqi në grumbullimin dhe kthimin e zarfeve të votimit, individë në Hania (Kretë) dhe zona të tjera pretendojnë në rrjete sociale se kanë bërë ‘marrëveshje me DHL’ për të shpërndarë ose kthyer zarfet e votimit për shqiptarët në Greqi. Këto veprime, të paraqitura si ‘shërbim komunitar’, përbëjnë shkelje të rëndë të parimit të votimit të fshehtë dhe individual, dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit shqiptar zgjedhor. Organizimi kolektiv dhe ndërhyrja e paautorizuar në procesin e votimit cenon drejtpërdrejt integritetin e procesit dhe hap rrugë manipulimeve. Autoritetet duhet të ndërhyjnë menjëherë për të hetuar dhe ndjekur penalisht këto veprime të organizuara”, tha ai.
“I bëj thirrje kësaj qeverie që të marrë përgjegjësinë për të përmbushur detyrimet e saj ligjore dhe logjistike. Shkelja e afateve dhe standardeve të përcaktuara me ligj është një kërcënim serioz ndaj votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe, në këtë mënyrë, cenon rëndë integritetin e këtyre zgjedhjeve”, pohoi Nuri.