PDK zbulon emrin e vetëm nga Vetëvendosje që do ta votonte për kryetar Kuvendi

nga Xh M

Që nga 15 prilli, deputetët e kuvendit të Kosovës po dështojnë të konstituojnë kuvendin.

Kuvendi mbetet i pakonstituar, ndërsa partitë politike vazhdojnë të hedhin fajin tek njëra-tjetra për situatën e krijuar.

Përplasjet ndërmjet partive politike vazhdojnë, me akuza të ndërsjella për ngërçin institucional. PDK dhe AAK kanë refuzuar kandidaturën e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit, ndërsa LDK ka deklaruar se zgjidhja mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje politike.

Pavarësisht ftesës për koalicion që Vetëvendosje i kishte bërë LDK-së javë më parë – e që ishte refuzuar – tani nga VV-ja po theksohet se nuk kanë nevojë për partnerë për ta përfunduar konstituimin.

“Tash Kuvendi është i 120 deputetëve dhe duhet të konstituohet nga 120 deputetë. Aty nuk ka nevojë për partnerë. Secili e ka pjesën e vet të përgjegjësisë”, ka deklaruar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri në detyrë, në një intervistë për Deutsche Wellen.

Sipas tij, “Nuk ka krizë qeveritare në Kosovë por ka pengesa në zgjedhjen e kryesuesve të Kuvendit”.

Nga radhët e VV-së nuk ka sinjale se do të tërhiqen nga kandidatura e Albulena Haxhiut, e as nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Haxhiu, në të gjitha raundet e votimit, nuk ka arritur të sigurojë më shumë se 57 vota, ndërkohë që për zgjedhje i nevojiten 61.

Gjersa, Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga Albulena Haxhiu, propozime për një emër tjetër ka pasur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Shqipe Selimi, Saranda Bogujevci dhe Glauk Konjfuca janë emrat që mund të marrin “dritë jeshile” nga partia e tyre për t’u bërë kryetar të Kuvendit.

“Bota sot”, ka kontakuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës rreth emrave të tyre që do t’i votonin në rast të ndryshimit të emrit të Albulena Haxhiut.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hezituar të përgjigjet për “Bota sot”, mirëpo rikujtojmë se ata kishin deklaruar se edhe nëse VV ndryshon kandidatin për kryeparlamentar nuk do ta votojnë.

“Jo, sepse ne nuk e kemi lidhë rolin tonë në votim me emrin e përveçshëm ne kemi thënë përparim duhet me kriju partia e parë shumicë për me bë zgjidhjen politike. Kjo ka qenë dhe ky është qëndrimi ynë nuk e kemi lidhur me emrin e përveçshëm është e drejtë e fituar partia e parë ka fituar të drejtën me e propuzu dhe le ta zgjedhin kënd të dojnë”, ka thënë nënkryetari dhe deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës japin një “dritë jeshile” për Glauk Konfjucën, ish-kryetar i kuvendit.

Nait Hasani nga PDK, ka thënë për “Bota sot” se ai ka maturi politike dhe se kryetari i Kuvendit duhet të ndërtojë ura bashkëpunimi.

“Glauk Konfjucën mund ta votojmë, vetëm atë dhe askë tjetër. Ai është i vetmi nga radhët e VV-së që gëzon respektin dhe kredibilitetin tim për të udhëhequr me këtë institucion. Këtë qëndrim nuk e kam për inat ndaj të tjerëve, por sepse besoj se Glauku ka treguar maturi politike, profesionalizëm dhe një qasje institucionale që mungon te shumë të tjerë brenda partisë së tij.

Ai ka dëshmuar se e kupton rolin e Kuvendit si pushtet i pavarur dhe jo si zgjatim i qeverisë. Në këtë fazë politike që po kalon Kosova, ne kemi nevojë për një kryetar Kuvendi që ndërton ura bashkëpunimi dhe respekton pluralizmin politik — jo për dikë që e sheh Kuvendin si arenë përballjeje ideologjike apo si instrument për kontroll politik.

Për këtë arsye, nuk e mbështes askënd tjetër nga Vetëvendosje për këtë post. Mbështetja për Glauk Konjufcën është parimore, jo personale, dhe buron nga vlerësimi për mënyrën se si ai ka përfaqësuar pozitën dhe opozitën njëkohësisht me përgjegjësi e balance”, ka deklaruar Hasani për “Bota sot”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More