Rreth 70 për qind e punimeve fizike për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës kanë përfunduar, si dhe 90% e veprave të artit që janë pjesë e këtij projekti me degëzim në aeroportin “Nënë Tereza”.
Lajmin e dha zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila inspektoi nga afër ecurinë e punimeve.
“Është një nga projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një projekt i nisur prej kohësh me një vonesë të konsiderueshme përsa i përket pjesës së aprovimit të financimit. Megjithatë, të gjitha këto janë kapërcyer dhe sot kemi një kantier me ecuri të kënaqshme. Kemi 70% të volumit të punëve të kryera, ndërkohë që 90% e volumit të veprave të artit të përfunduar. Çfarë është më e rëndësishme që duhet thënë, hekurudha është një nga mjetet e transportit alternativ, një nga mjetet e transportit miqësor me ambientin, por edhe me financat e qytetarit dhe një nga mjetet e transportit që vetë Bashkimi Evropian incentivon dhe shtyn përpara për realizimet e tyre. Shqipëria prej kohësh ka nisur një strategji në zhvillimin e rrjetit hekurudhor. Ky është projekti i parë që ne tashmë mezi presim që ta dorëzojmë”, tha Balluku.