Shkup, 11 prill – Paga minimale duhet të rritet, pasi funksioni i saj parësor është ruajtja e standardit të jetesës për përfituesit e pagave më të ulëta. Si përqindje e pagës mesatare tashmë po i afrohet 60 për qind dhe mendoj se është e përshtatshme, vlerësoi sot Marjan Petreski nga Fajnans tink.
“Kur flasim për pagën minimale, duhet t’i kushtojmë vëmendje dy aspekteve – çfarë do të thotë barra shtesë për ekonominë dhe për ata që duhet t’i paguajnë ato paga, apo çfarë do të thotë për Buxhetin nëse ajo barrë i transferohet Buxhetit. Aspekti i dytë është se masa më e madhe e mjeteve në ekonomi mund të shkaktojë çmime, ose inflacion. Aktualisht lëvizjet janë të favorshme, në muajin e fundit kemi një përmirësim në uljen e çmimeve, si në përgjithësi ashtu edhe veçanërisht te ushqimi dhe mendoj se politikat duhet të jenë veçanërisht të kujdesshme që të mos prishet një trend i tillë, tha Petreski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve para fillimit të forumit ekonomik “”Fuqizimi i grave të afta për punë: Strategjitë për zhbllokimin e potencialit dhe rritjen e produktivitetit”, organizuar nga Finance Think – Instituti për kërkime ekonomike dhe politike, Shkup.
Theksoi se ndryshe nga rritja e pagës minimale, rritja lineare e pensioneve ishte në njëfarë mënyre në kundërshtim me idenë e konsolidimit fiskal.
“Për sa i përket pagave, rritja reale, përkatësisht rritja kur merret parasysh inflacioni, mbetet ende pozitive dhe është më e ulët se vitin e kaluar. Rritja po ngadalësohet, por mbetet në zonë pozitive. Në pjesën e pensioneve, qëndrimi im mbetet konsistent se rritja që kemi parë është shumë e lartë dhe se kontribuon në konsumin e përgjithshëm dhe çmimet, por edhe në buxhet”, përfundoi Petreski.