Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka dënuar, sipas tij, dhunën e policisë ndaj protestuesve të opozitës një ditë më parë.
“Dënojmë me forcën më të madhe dhunën kriminale, aktet banditeske, të paligjshme dhe antikushtetuese të narkopolicisë ndaj protestuesve paqësorë, ndaj drejtuesve të opozitës, ndaj dhjetëra gazetarëve të terrenit dhe operatorëve”, tha ndër të tjera Blushi.
“Në emër të Partisë së Lirisë dënoj me ashpërsinë më të madhe raprezaljet policore duke u kujtuar të gjithë banditëve me uniformë që shkelën me të dyja çizmet ligjin për llogari të Edi Ramës, se do ta kenë personale me opozitën”, tha Blushi.
Në një konferencë për mediet, Blushi tha se mosbindja civile dje “ishte një uragan lirie jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë Shqipërinë”.
Sipas Blushit “e drejta e protestës, që është një e drejtë fondamentale për vetë ekzistencën e demokracisë garantohet qartësisht nga Kushtetuta dhe mbështetur mbi këtë të drejtë, Opozita e Bashkuar thirri dje qytetarët në Mosbindje Civile, e cila ishte tërësisht paqësore, por që qartësisht u provokua nga narkobanditët me uniformë policie, që bënë dje çdo përpjekje për të gjakosur protestuesit që nuk këputën as një lule dhe nuk qëlluan me asnjë gur”.
“Policia e Shtetit ka mision vetëm të ruajë rendin dhe sigurinë publike, të garantojë zbatimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare”, tha më tej Blushi.
Blushi theksoi më tej se “mosbindja civile dhe protestat e fuqishme të opozitës jo vetëm nuk do të ndalen, por do të jenë gjithnjë edhe më të forta kundër një qeverie që është sjellë me popullin e vet, si një prej armiqve më të egër të tij”.
“Jam i bindur që vetëm nëpërmjet mosbindjes civile dhe protestave ne do t’i shkurtojmë ditët këtij narkoregjimi dhe sigurisht fitorja është dhe do të jetë vetëm e opozitës dhe të gjithë qytetarëve të ndershëm dhe patriotë”, tha Blushi.