Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi në konferencën e fundit për këtë vit nga selia e Partisë së Lirisë së bashku me Sekretarin për Çështjet e Financave dhe Ekonomisë në PL, Petraq Milo, kanë bërë bilancin e treguesve kryesorë ekonomikë dhe socialë të vendit, që sipas tyre janë të gjitha në përkeqësim.
Sipas Blushit ky vit mbyllet me një “rekord dramatik dhe që është niveli më i lartë i varfërisë që edhe në vitin që po lemë pas është thelluar dhe mbetet më i larti në rajon”.
“Në krahasim me vendet e rajonit, niveli i varfërisë dhe përjashtimit social është 50% më i lartë, dhe 2.3 herë më i lartë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian dhe sigurisht kategoria më e diskriminuar, më e përjashtuar, më e braktisur, më e goditur nga politikat antisociale të Qeverisë janë mbi 790 mijë pensionistë në mbarë vendin, të cilët kjo Qeveri i ka varfëruar vit mbas viti”, tha Blushi.
Sipas Blushit, për të rritur mirëqenien e pensionistëve do të duhet të rriteshin pensionet edhe 39,7% mbi masën e indeksimit si për pensionin e qytetit, dhe të fshatit.
Blushi tha më tej se “shpërndarja e bonusit përpos qëllimit të pastër elektoral është dhe rrjedhojë e presionit të opozitës duke treguar me fakte dhe shifra konkrete mungesën e rritjes dhe indeksimit të plotë të pensioneve në tre mandatet”.
“Trajtimi financiar i pensionistëve nuk mund të bëhet vetëm me një bonus në fund të vitit, por duhet një angazhim politik i qartë për indeksim të plotë të masës së pensionit me çmimet e shportës ushqimore si dhe rritjen e tyre nga rritja ekonomike”, tha Blushi.