Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrimin në Partinë e Lirisë Myrvete Asqeri tha sot se popullsia e re po zhduket nga Shqipëria.
Në një deklaratë për mediet, Asqeri theksoi se largimi i të rinjve po vjen si pasojë e keqqeverisjes.
Asqeri shtoi se rënia e lindshmërisë ka arritur nivele kritike dhe se Shqipëria po hyn zyrtarisht në epokën e tkurrjes demografike.
“Të rinjtë nuk ndërtojnë më familje në Shqipëri sepse nuk shohin të ardhme. Në anën tjetër, emigracioni vazhdon me përmasa të frikshme. Rinia shqiptare po largohet në mënyrë masive drejt vendeve të BE-së dhe më tej. Pasojat e kësaj keqqeverisje, që po detyron rininë të marri rrugët e emigrimit, po ndihen që sot, kemi më pak nxënës në shkolla, më pak punëtorë në tregun e punës, më shumë barrë mbi një popullsi gjithnjë e më të plakur”, tha Asqeri.
Asqeri theksoi se “rënia e lindshmërisë dhe emigracioni nuk janë procese natyrore, janë simptoma të një sistemi që nuk funksionon”.
“Nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe afatgjata, ndryshimet që do të imponojë realiteti demografik do të jenë shumë më të kushtueshme sesa çdo investim që mund të bëhet sot”, u shpreh Asqeri.
Sipas Asqerit ky është një alarm kombëtar, jo një debat politik.
“Politikat për nxitjen e lindshmërisë, për mbështetjen e familjes, për rininë dhe ndalimin e emigracionit nuk janë luks, janë domosdoshmëri dhe Partia e Lirisë këto politika i ka konkretizuar në programin e saj, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, ku fokusi kryesor është ndalimi i shpopullimit dhe fuqizimi i familjes duke i dhënë kështu fund dramës së madhe të shpopullimit që është kthyer tashmë në një plagë të hapur për Shqipërinë”, tha Asqeri.