Shkup, 15 tetor – Shkolla janë institucione edukativo-arsimore pra që në radhë të parë kanë për obligim edukimin e fëmijëve e pastaj arsimimin. Por, jo çdoherë ndiqen këto parime bazë pasi ka raste të shumta që ndodhin në shkolla e nuk krijojnë përshtypjen asesi se janë institucione edukative. Shtimi i përdorimit të lëndëve narkotike në shkolla, rasti i fundit skandaloz në Gjorçe Petrov janë shkaqet kryesore pse duhet shtuar prezencën e policisë në shkolla fillore e të mesme. Pasi, flasim për fëmijë të moshës delikate që shumë lehtë mund të rrëshqasin në kurthe të kurdisura për devijimin e tyre, shkruan Zhurnal.
Planifikohet shtim i forcave të policisë në shkolla –
Prezenca e policisë në shkolla krijon ambiente më të sigurta për nxënësit që të mos bien pre e provokimeve të natyrave të ndryshme. Viteve të fundit vendet ideale për shitjen e substancave narkotike ishin shkollat, e skandale të tjera ndodhnin pikërisht në këto vende. Por, skandali i fundit në shkollën fillore në Gjorçe Petrov ishte shtysa kryesore që po planifikohet shtim i forcave të policisë në shkollat fillore në vend.
Autoritetet e sigurisë në vend, kanë paralajmëruar përforcimin e video-mbikqyrjeve dhe prezencës policore nëpër shkolla, pas incidentit të paparë në një shkollë fillore në Gjorçe Petrov. Tentativa për keqpërdorim seksual të një të mituri nga moshatarët e tij, të martën pasdite, ka tronditur opinionin në vend. Rasti ishte paraqitur në polici nga i ati i fëmijës, pasi njoftimet thonë se pavarësisht që mësuesja ka marrë njoftime për këtë rast, nuk kanë ndërmarrë asgjë.
Sipas MPB-së, fëmijtë me mjet të fortë janë përpjekur ta keqpërdorin seksualisht bashkëmoshatarin e tyre. Ministri i Brendshëm shprehu keqardhje për incidentin duke potencuar se angazhimet shtesë në terren mund të ndikojnë në sigurinë e qytetarëve.
“MPB-ja në pjesën e kompetencave, në të ardhmen do të veprojë në drejtim të përforcimit maksimal të video-mbikqyrjes dhe prezencës policore nëpër shkolla. Por, kjo nuk do t`i zgjidh këto dukuri devijuese, por do të kontribuojë në rritjen e sigurisë”, tha Toshkovski.
Sipas Kodit Penal, të miturit nuk mbajnë përgjegjësi penale dhe për raste të këtilla ekzistojnë kompetencat e institucioneve tjera. Pas këtij rasti, mësimdhënësi përgjegjës është pezulluar nga puna, kurse kundër katër të tjerëve janë inicuar procedura disiplinore. Drejtori i shkollës, për arsye morale, ka dhënë dorëheqje.
Mungon një strategji e mirëfilltë për siguri dhe edukim –
Shkollat janë institucione edukative – arsimore, nxënësit janë në meshën më delikate dhe nuk janë të vetëdijshëm për pasojat e veprimeve të tyre. Fenomeni i përhapur tashmë në çdo shkollë që pas çdo aksioni policor të kapen nxënës me substanca narkotike është tregues se në çfarë niveli ndodhen shkollat në vendin tonë. Shqetësuese dhe tmerruese kur dëgjohet që të rinjtë viktimizohen si pasojë e mungesës së informimit për dëmet që vijnë nga përdorimi i substancave narkotike.
Prandaj, duhet një mobilizim i gjithanshëm për krijimin e një strategjie e cila do të ishte efikase dhe do të prodhonte rezultate produktive në reduktimin e këtij fenomeni tashmë të përhapur. Ministria e Arsimit, OJQ-të e ndryshme, institucionet e sigurisë duhet që njëzëri nëpërmjet takimeve informuese, fletushkave të ndryshme, të senzibilizojnë nxënësit për dëmet dhe pasojat që shkaktojnë përdorimi i klëndëve narkotike.
Nga ana tjetër, trekëndëshi fëmija – prindi – mësimdhënësi duhet të fuqizohet edhe më shumë që rastet e tilla të parandalohet, të merren masa preventive dhe të jenë në kontakt të përhershëm për kohën se si fëmijët e kalojnë në shkollë, dhe ndihma që i ofrohet nga stafi. Mes tjerash vlen të theksohet që është më se e nevojshme pikërisht në këtë epokë të ketë prindërim më të përgjegjshëm. /Zhurnal.mk