Programi qeverisës për Drejtësinë, pritet miratimi i Kodi të ri Penal dhe Civil me standardet e BE-së

nga D. V.

Në programin qeverisës 2025-2029, Reforma në Drejtësi cilësohet si transformimi më i madh institucional në historinë e shtetit shqiptar. E nisur nga qeveria shqiptare me mbështetjen e partnerëve evropiane dhe amerikanë, kjo reformë është shndërruar në “kalin e betejës” së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë fazë kritike të negociatave me BE-në, vëmendja e qeverisë përqendrohet në forcimin e një drejtësie të pavarur dhe efiçente, të bazuar mbi standarde, që përqafon inovacionin dhe i përgjigjet me përpikmëri detyrimeve që burojnë nga piketat e ndërmjetme dhe Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës.

Duke u mbështetur në arritjet e deritanishme, qeveria angazhohet të kontribuojë në një sistem drejtësie që “garanton standarde, respekton të drejtat themelore të njeriut dhe lufton pa kompromis kriminalitetin”.

Në fokus është edhe digjitalizimi i shërbimeve gjyqësore dhe përmirësimi i infrastrukturës fizike, që pritet të sjellin një “hap cilësor në funksion të rritjes së efiçencës dhe shpejtësisë së ofrimit të shërbimeve gjyqësore për qytetarët që do ta bëjnë sistemin më transparent, më të shpejtë dhe më afër qytetarëve”.

Në kuadër të programit qeverisës 2025–2029, qeveria shqiptare do të angazhohet për një sërë masash konkrete.

Në programin qeverisës thuhet se do të fuqizojë standardet e reformës në drejtësi, duke rishikuar legjislacionin sipas detyrimeve të ndërmarra në kuadër të negociatave me BE-në.

Gjithashtu theksohet se do të miratohet Kodi i ri Penal dhe Kodi i Ri Civil, të përafruar me standardet e BE-së.

Një tjetër pikë është funksionalizimi i Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë deri në vitin 2028, duke përfshirë module të inteligjencës artificiale për menaxhimin e çështjeve.

Gjithashtu parashikohet modernizimi i infrastrukturës gjyqësore, me ndërtimin dhe rikonstruksionin e gjykatave e prokurorive sipas standardeve më të mira në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve ofruar qytetarëve.

Një tjetër masë është zbatimi i Masterplanit të Burgjeve dhe përmirësimi i kushteve të paraburgosurve dhe të dënuarve, duke reduktuar recidivizmin.

Gjithashtu është parashikuar edhe hapja e Institutit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, duke ndërtuar një sistem të drejtësisë penale për të mitur sipas standardeve europiane.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More