Shkup, 26 nëntor – Bashkimi i disa subjekteve politike në një koalicion të vetëm dha rezultatin e pritshëm e të nevojshëm për këta protagonistë. Opozita kurrsesi të dilte nga tuneli opozitar sepse ishin të ndarë e të përçarë, kur vepruan me strategji u bashkuan dhe fituan. Ky bashkim opozitar u solli tre fitore radhazi, në zgjedhje presidenciale, parlamentare dhe tani për të qenë kupola e gjithë kësaj beteje ishte fitorja në zgjedhjet lokale, me çfarë betonuan legjitimitetin e tyre. Por, nëse kaluan gjitha testet tani janë para provimit final, vazhdimësia tutje. Kanë premtuar shkrirje por cila është zgjidhja më e duhur? shkruan Zhurnal.
Çfarë është modeli gjerman?
Ajo për çfarë më së shumti ka nevojë aktualisht koalicioni fitues, VLEN, është një model që të garantonte një vazhdimësi produktive në betejat e radhës. E për këtë model ideal është modeli gjerman.
Modeli gjerman i funksionimit politik është një standard i konsoliduar i demokracisë së brendshme, i menaxhimit të koalicioneve dhe i ndërtimit të partive të qëndrueshme. Ai nuk lidhet vetëm me zgjedhjet, por me mënyrën se si partitë strukturohen brenda vetes dhe si bashkëpunojnë mes vete. Në thelb, modeli gjerman përfshin tre shtylla:
1. Democraci e brendshme partiake dhe liderë të zgjedhur nga anëtarësia;
Partitë nuk varen nga një individ i vetëm, lidershipi përcaktohet përmes zgjedhjeve të rregullta, transparencës financiare dhe institucioneve të forta partiake.
2. Koalicione të qarta dhe afatgjata;
Partitë në Gjermani krijojnë marrëveshje të detajuara programore që përcaktojnë qartë misionin, prioritetet, mekanizmat e vendimmarrjes dhe rolet e secilit partner. Edhe kur janë disa parti në një koalicion, stabiliteti ruhet nga rregullat e brendshme dhe nga kompromisi racional.
3. Subjekte të qëndrueshme me identitet të fortë politik;
Çdo parti ndërton platformën e vet programore, por edhe kur bashkohen në një super-subjekt (siç bëjnë CDU dhe CSU në Bavari dhe mbarë Gjermaninë), secila ruan identitetin, ndërsa punojnë si një trupë e vetme në nivel federal.
Pse VLEN ka nevojë për këtë model?
VLEN u krijua si një bashkim funksional për zgjedhje, por realiteti politik në Maqedoninë e Veriut kërkon më shumë se kaq. Vetë dinamika midis liderëve të tij e tregon se struktura aktuale nuk mjafton për të garantuar jetëgjatësi, kohezion të brendshëm apo stabilitet politik. Modeli gjerman nuk është thjesht një zgjidhje teorike është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj nevojave konkrete të VLEN-it. Nevoja për strukturë të qëndrueshme, jo për bashkim sezonal. VLEN u paraqit si koalicion elektoral, por pas zgjedhjeve po përballet me presione të brendshme që e sfidojnë unitetin. Pa një reformë të brendshme, rrezikon të ndahet sipas linjave të liderëve, qyteteve apo komunave. Modeli gjerman do ta shndërronte koalicionin në subjekt të vetëm, me statut, organime, rregulla dhe mekanizma që parandalojnë fragmentimin. Nevoja për demokraci të brendshme dhe legjitimim të lidershipit.
Sot, debati “kush duhet të jetë lider” po i vendos liderët në një duel që rrezikon të krijojë tensione të panevojshme. Në modelin gjerman, lidershipi vendoset nga anëtarësia jo nga pazaret, jo nga raporti i komunave, as nga preferencat rajonale.
Kjo i jep legjitimitet udhëheqësit dhe ul konfliktet. Nevoja tjetër në këtë moment është edhe programi përbashkët dhe vizioni i qartë. Koalicionet funksionale në Gjermani hartojnë marrëveshje programore të detajuara çfarë është prioritet, çfarë është vijë e kuqe, cilat reforma duhen përmbushur dhe si ndahet përgjegjësia.
VLEN nuk mund të funksionojë pa një program të qartë që tejkalon interesat komunale dhe vendos vizion për zhvillimin e shqiptarëve në RMV. Në këtë drejtim, një nga nevojat më të rëndësishme është ajo për besueshmëri afatgjate te elektorati shqiptar.
Shqiptarët në RMV janë lodhur nga partitë që bashkohen para zgjedhjeve dhe ndahen pas tyre. Modeli gjerman i jep VLEN qëndrueshmëri institucionale dhe e bën një alternativë serioze politike jo vetëm një koalicion të radhës të çastit apo që njihet në opinion “koalicion zori”. Një subjekt i bashkuar, me strukturë të qartë dhe me lidership të zgjedhur, rrit besimin dhe krijon kontinuitet politik.
Kujtojmë që, pyetja nuk duhet të jetë më “kush do të jetë lider”, por çfarë strukture do t’i japë mundësi VLEN të mbijetojë dhe të rritet. Modeli gjerman është përgjigjja më funksionale që ofron politika ndërkombëtare. /Zhurnal.mk