Shkup, 3 korrik- Takimit mes Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski me drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev nuk i është kushtuar shumë hapësirë mediale, me përjashtim të Zhurnal-it. Mirëpo edhe pse takimi ka kaluar në heshtje gati të plotë te shumica e mediumeve, aty ishin prezentë edhe një pjesë e ekipit të drejtorit të Byrosë së Sigurisë Publike, të cilët punojnë në rastet në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kurse temë e takimit ka qenë segmenti i qeverisë së kaluar më i përfolur për korrupsion-ndërtimi i rrugëve dhe Korridoreve 8 dhe 10.
Bëhet fjalë për harxhime qindra milionëshe, për harxhime të mëdha, teksa deri tani janë kryer vetëm punë të vogla.
“Në takim u diskutua për informacionin e publikuar në raportin e fundit të Entit Shtetëror të Revizionit, si dhe për revizionin e bërë për realizimin e investimeve kapitale në sektorin publik të rrugëve shtetërore dhe infrastrukturës hekurudhore, si tregues të mundshëm për shpenzime të papërgjegjshme të fondeve buxhetore. Ky revizion i ka ardhur si “qershi mbi tortë” autoriteteve të reja qeveritare, për të filluar luftën aq të premtuar kundër korrupsionit. Megjithatë formati i takimit është jo karakteristik, sepse së paku deri tani nuk kemi pasur rast të shohim koordinim mes Transportit dhe MPB-së lidhur me luftën kundër korrupsionit.
Për këtë arsye është edhe dilema e ngritur në titullin e këtij teksti: Athua pse po koordinohet Ministria e Transportit direkt me policinë? A bëhet fjalë vetëm për bashkëpunim në hetimor, apo ndoshta pritet rezistencë gjatë arrestimeve të dyshuarëve për korrupsion në projektet për ndërtimin e rrugëve? A mos ndoshta po bëhen gati për arratisje jashtë vendit?
Duke pasur parasysh se të dyshuarit e parë që përmenden së paku në opinion, janë figura të rëndësishme politike, parashtrohet poashtu edhe pyetja nëse arrestimit të tyre eventual mund t’u jepet karakter politik dhe kjo të shërben si pretekst për fillim të trazirave politike, duke i ftuar militantët partiak të dalin në rrugë? Asgjë nuk mund të përjashtohet për momentin.
Qytetarët gjithsesi duhet të jenë të kujdesshëm të mos i keqpërdorë kushdo qoftë dhe duke menduar se po përkrahin ndonjë agjendë politike, në fakt mund të vendosen në mbrojtje të korrupsionit.
Sigurisht që shumë me rëndësi se si do të zhvillohet situata janë edhe mesazhet e ndërkombëtarëve.
E një mesazh i fuqishëm përkrahës në luftën kundër korrupsionit sot ka ardhur edhe nga ambasadorja gjermane Petra Dreksler, e cila u takua me ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.
“Ministri Toshkovski falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetjen e sinqertë nga Republika Federale e Gjermanisë, e cila duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen me shpresë se sa më shpejt do të jemi pjesë e familjes evropiane. Ministri i prezantoi synimet kryesore që do të jenë në fokus në periudhën në vijim, si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit jo vetëm në mënyrë deklarative, por reale, rindërtimi dhe sistemimi funksional si dhe digjitalizimi i proceseve”, njoftoi MPB-ja.
Ambasadorja Dreksler i drejtoi urime ministrit Toshkovski dhe drejtorit Janev dhe potencoi se bashkëpunimin i deritanishëm, veçanërisht për Qendrën për Trajnime të MPB-së dhe pajisjet të cilat i janë dhuruar Ministrisë.
Drejtori i Byrosë për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Aleksandar Janev, i shpjegoi reformat që janë planifikuar në fushën e policisë dhe të operacioneve kriminale dhe e potencoi edhe një herë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me policinë gjermane në fushën e shkëmbimit të informacioneve, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar transnacional.
Në takim u theksua se bashkëpunimi i drejtpërdrejtë dhe marrëdhëniet miqësore do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim forcimin e luftës kundër krimit, si dhe për sundimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë të të gjithë qytetarëve.
Mesazhi përkrahës nga ambasadorja e partnerit më të rëndësishëm evropian ka ardhur pasi që edhe ambasadorja amerikane, Angela Ageler, ka dhënë mbështetje të fuqishme publike për luftën kundër korrupsionit, shkruan Zhurnal.
“Ne nuk e bëjmë zbatimin e ligjit në këtë vend, ne nuk jemi pjesë e gjyqësorit, kjo është punë e pushtetit të këtushëm, e hetuesve, e atyre që e zbatojnë ligjin, e gjyqësorit. Ka dëshmi të shumta në këtë vend, prandaj, çdo herë kur SHBA-ja vendos për dikë, me secilin që kam biseduar, me siguri kjo vlen dhe për ju, thoni që nuk është befasi, sigurisht e dimë këtë. Nuk është për t’u habitur se këta njerëz janë të korruptuar. Çështja është se çfarë do të bëjnë institucionet për këtë gjë. Do të presim të shohim./Zhurnal