Qeveria shqiptare parashikon modernizimin dhe ndërtimin e 530 kilometrave rrjet hekurudhor në 10 vitet e ardhshme

nga D. V.

Zëvendëskryeministrja, dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se në 10 vitet e ardhshme Shqipëria do të ketë një rrjet modern hekurudhor prej 530 km, të cilat do të lidhin veriun dhe jugun.

Duke folur në aktivitetin “Infrastruktura, arritjet dhe sfidat për Shqipërinë 2030″ ditën e martë, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Balluku tha se “kemi trashëguar 420 km hekurudhë, ku kryesisht lidheshin qytetet kryesore. E gjithë ky stok, është përdorur shumë në vitet e monizmit por jo më pas. Pas një sistemi që zhduku nga ADN jonë pronën private dhe në mungesë të lirisë, shqiptarët gjetën shprehjen e lirë te automjetet duke braktisur hekurudhën, e cila nuk pati më mundësinë të investohej”.

Sipas saj, infrastruktura hekurudhore u vendos të mbështetej me fonde të BE.

Duke folur për hekurudhën Tiranë Durrës, Balluku tha se “kjo hekurudhë ka marrë udhë”.

“Për këtë hekurudhë aplikimi ka nisur në 2014 nuk është humbur asnjë ditë kohë nga qeveria Rama, por fatkeqësisht për shkak të burokracisë së gjatë, mungesës së besimit të donatorëve ndaj Shqipërisë u deshën vite e vite të gjata deri në 2020 që më në fund Shqipëria të merrte dritën jeshile për ndërtimin e hekurudhës Tiranë- Aeroporti i Rinasit- Durrës, e cila sot ndodhte në një fazë të përparuar. Mbi 75% e këtij projekti tashmë është i përfunduar. Parashikojmë deri në fund të vitit 2025 të kemi të dorëzuar këtë hekurudhë, sigurisht më pas nis plotësimi i komponentëve siç janë ndërtimi i 10 stacioneve që do të ketë nga Durrësi në Rinas dhe më pas nga Rinasi në Tiranë madje edhe elektrifikimi i hekurudhës”.

“Të gjithë komponentët do të jenë të përfunduar në pranverën e vitit 2026 duke na dhënë mundësinë e fillimit të një transporti totalisht të ri, transportit modern të hekurudhës”, tha Balluku.

Më tej Balluku foli për hekurudhën Vorë- Hani Hotit.

“Kjo është një hekurudhë ekzistuese në përdorim të disa vagonëve që çojnë mallra në sasi të vogla. Pas burokracive jemi gati që tremujorin e fundit të këtij viti të nisim kantierin e hekurudhës Vorë-Han- i Hotit Në fillim të 2026, hapet Durrës-Rrogozhinë, ndërkohë rehabilitimi i linjës Rrogozhinë-Pogradec, pritet që sipas gjithë proceseve, ne të nisim punimet në 2028”, theksoi Balluku duke shtuar se ka lindur një nevojë edhe për hekurudhat e brendshme.

“Në buxhet kemi nisur parashikimin të linjës hekurudhore Rrogozhinë- Vlorë, një linjë ekzistuese që duhet rehabilituar. Dje prezantuam një nga projektet më ambicioze, hekurudha kuqezi që pas një studimi të gjatë, përveç një ëndrre, krijon akses të plotë të lëvizjes së mallrave”, tha Balluku.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More