Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose po merr pjesë në Forumin e Krerëve të Shërbimeve që po zhvillohet në Stamboll, Turqi.
Ky forum shënon hapjen e Konferencës së 27-të Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Korrektimeve dhe Burgjeve (ICPA) dhe marrin pjesë më shumë se 60 drejtues të sistemeve korrektuese nga rreth 40 vende.
Konferenca, e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Shtëpive të Ndalimit të Turqisë, nën drejtimin e Enis Yavuz Yıldırım, zhvillohet me temë: “Mirëqenia në Korrektime: Nisma për Stafin, Sistemet dhe Komunitetet”.
Në këtë aktivitet ndërkombëtar, Qosja u bashkua me përfaqësues nga vende të ndryshme për të shkëmbyer përvoja dhe për të diskutuar mbi sfidat globale që prekin sistemet penitenciare.
Qosja theksoi gjatë diskutimeve çështjet me rëndësi globale që ndikojnë në sistemet e burgjeve në mbarë botën. Ai u ndal veçanërisht te fenomenet si mbipopullimi në institucione, prania e personave me probleme të shëndetit mendor brenda sistemit penitenciar, si dhe rëndësia e përdorimit të metodave bashkëkohore për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të krimit të organizuar me ndikim ndërkombëtar kur ato evidentohen në sistemet e burgjeve.
Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet shteteve, në veçanti në fushat e trajnimit profesional, shkëmbimit të informacionit dhe zhvillimit të metodave të përbashkëta për parandalimin e fenomeneve globale që ndikojnë në sistemet e burgjeve.
Ndërkohë, president i përkohshëm i ICPA-së dhe shefe i departamentit të Shërbimeve Korrektuese të Australisë së Jugut, David Brown, tha se “jemi të gjithë këtu me njohjen se ajo që na lidh nuk është vetëm tema e kësaj konference, por një përkushtim më i thellë ndaj shërbimit publik në sektorin e korrektimeve”.
Ai theksoi se “çdo sistem korrektues është, në thelb, një shërbim publik. Suksesi i tij varet jo vetëm nga infrastruktura, rregullat apo burimet, por nga udhëheqja, vlerat, integriteti, qëndrueshmëria dhe dhembshuria”.
“Shpesh thuhet se në mjedise kërkuese si tonat, mirëqenia nuk është një luks, është një domosdoshmëri”, u tha David Brown delegatëve.
Ai përmendi fjalët e Nelson Mandelës për të theksuar peshën morale të punës së tyre “nuk ka dhuratë më të madhe se ajo për të dhënë kohën dhe energjinë tënde për t’i ndihmuar të tjerët pa pritur asgjë në këmbim.”
David Brown shprehu shpresën që delegatët të largohen nga konferenca me “energji të rinovuar, mjete të reja dhe besim të forcuar” në rolet e tyre dhe me lidhje të qëndrueshme të krijuara përtej kufijve.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e Turqisë shprehu mbështetjen e saj për sistemin penitenciar shqiptar, duke theksuar gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe për të shkëmbyer përvoja në drejtim të përmirësimit të politikave dhe praktikave korrektuese.