Qytetarët duhet të denoncojnë mos respektimin e gjuhës shqipe kudo që hasin e sidomos në banka!

nga I.A

Shkup, 29 maj – Gjuha shqipe është gjuha e dytë zyrtare dhe kjo çështje është e rregulluar me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, e për këtë ligj janë formuar dy institucione të posaçme për të vëzhguar implementimin dhe zbatimin në tërësi, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve. Por, prej kur ky ligj ka hyrë në fuqi janë vërejtur një sërë shkeljesh nga institucione të ndryshme, e për këtë shpesh herë këto dy institucione kanë heshtur dhe nuk e kanë bërë punën e tyre si duhet. Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve do të mbikëqyrë zbatimin dhe respektimin e dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga ana e bankave dhe nëse konstatohet se bankat nuk i respektojnë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, atëherë Inspektorati do të veprojë në përputhje me kompetencat e përcaktuara në Ligjin për Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve. Prandaj, qytetarët duhet të denoncojnë çdo shkelje që e vërejnë nga bankat ku ata kryejnë shërbimet e tyre, shkruan Zhurnal.

Inspektorati i Gjuhëve nga tani do të mbikëqyrë bankat nëse (nuk) e respektojnë gjuhën shqipe –

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, pas marrjes së përgjigjes nga Ministria e Drejtësisë tani e ka të qartë nëse mundet të veprojnë ndaj bankave në Maqedoninë e Veriut për (mos) përdorimin e gjuhës shqipe. Nga Inspektorati për Portalb.mk thanë se do të mbikëqyrin zbatimin e gjuhës shqipe nëpër banka, dhe nëse kjo nuk respektohet, Inspektorati do veprojë.

Nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve në një deklaratë për Portalb.mk nëse do të veprojnë ndaj bankave për mospërdorimin e gjuhës shqipe, theksuan se do të veprojnënë këtë drejtim duke marrë parasysh edhe përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë se bankat dhe personat e tjerë juridikë që ushtrojnë kompetenca publike në përputhje me ligjin gjatë mbledhjes së depozitave dhe burimeve të tjera të kthyeshme të mjeteve duhet ta përdorin edhe gjuhën dhe alfabetin që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik.

“Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve do të mbikëqyrë zbatimin dhe respektimin e dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga ana e bankave dhe nëse konstatohet se bankat nuk i respektojnë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, atëherë Inspektorati do të veprojë në përputhje me kompetencat e përcaktuara në Ligjin për Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve”, thanë nga Inspektorati, për Portalb.

Edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës mbeti e qëndrimit se bankat private në Maqedoninë e Veriut obligohen të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore dhe të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, por në praktikë bankat nuk e bëjnë këtë dhe arsyetohen se nuk e kanë për obligim.

Ligji për përdorimin e gjuhëve –

Ligji për përdorimin e gjuhëve shpërfillet edhe nga komunat në të cilat jetojnë mbi 20%, e kjo gjë duhet të marrë fund sepse është e rregulluar me ligj dhe duhet të zbatohet njëherë e përgjithmonë e kundër mos zbatimit ka ndëshkime të parapara.

Pra, në ligjin për përdorimin e gjuhëve është e përcaktuar kjo çështje me precizitet, edhe pse në realitet konsiderohet si përmbajtje diskriminuese për shqiptarët duke u identifikuar gjuha shqipe vetëm me përqindje.

Pra në nenin 1 të këtij ligji thuhet: Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. (2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.

Por, ky ligj është i panevojshëm përdisa kryetar komunash bie fjala edhe për kryetarin e Komunës së Gazi Babës, pasi po i njëjti këtë ligj nuk e përfill, e shkel me dy këmbë dhe për këtë nuk ka asnjë reagim as nga institucionet që janë përgjegjëse dhe kanë mekanizmat ndëshkuese.

Tani, zbatimi i këtij ligji kërkon edhe ndihmën e qytetarëve të cilët kudo që janë në nivele lokal apo në banka lokale e qendrore të denoncojnë shkeljet e mundshme që pastaj radha t’i kalojë Inspektoratit të zbatimit të gjuhëve ta bëjnë punën e tyre si duhet. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More