Kryeministri dhe njëherazi kryesocialisti Edi Rama, vlerësoi se sfida e mandatit të katërt të PS në zgjedhjet e 11 majit është anëtarësimi i Shqipërisë në BE, që krahas lirisë dhe të drejtave do të jetë një vlerë e shtuar financiare për ekonominë e Shqipërisë.
Në takimin me kandidatët për deputet të PS-së, Rama tha se përfitimet nga integrimi në BE e kthejnë politikën në diçka konkrete.
“Kjo është kaq konkrete, saqë e bën politikën shumë konkrete të gjitha të tjerat janë të rëndësishme, kanalizimet, rrugët, shkollat, spitalet. Pagat, punësimi, por përtej të gjitha këtyre dhe e lidhur drejtpërdrejtë me të gjitha këto qëndron ky moment. Mandati më i fortë për PS për këtë forcë qeverisëse që 2030 ta gjejë Shqipërinë brenda në BE dhe BE, ndër të tjera nuk është vetëm çështje lirish dhe të drejtash, por është një çështje e lidhur me ekonominë dhe me rritjen e mirëqenies”, tha Rama.
Ai shtoi se “disa e thonë pa të keq që kush është ne BE po sheh keq, muhabet kot. Të gjitha problematikat e brendshme të BE-së janë problematika që do donim t’i kishim në vend që të kishim problematikat që trashëguam dhe mezi po ndahemi. Të gjithëve u duhet thënë, në çdo takim që BE-ja është një vlerë e shtuar financiare për Shqipërinë, që në 10 vjet kemi marrë nga BE si mbështetje pak më shumë se 1 miliard euro. Duke hyrë ne BE çdo vit do marrim më shumë se 1 miliard euro. Ne kemi marrë mbështetje për bujqësinë që është shumë më pak se 300 milionë euro, ndërsa 300 milionë euro do i marrim çdo vit vetëm për bujqësinë, për të mos folur për rininë, programet e veçanta për punësimin e rinisë, për të mos folur për teknologjinë”, u shpreh Kryeministri, njëherazi kryesocialisti Rama.
Rama thekson se “në BE hyn në një familje ku ka të rritur, dhe ku ka të vegjël, ku ka vende të mëdha të zhvilluara dhe më pak të zhvilluara dhe aty janë të ndara kategoritë, janë kontribuesit që janë të rriturit në një familje janë edhe përfituesit siç janë më të vegjëlit në një familje. Dhe ne do të hyjmë te kategoria e përfituesve, ne do të marrim nga BE shumë më tepër seç do të kontirbuojmë. Ndërsa Franca, Gjemania marrin nga BE-ja më pak seç japin dhe debati i tyre i brendshëm lidhet me këtë fakt, por shumica dërrmuese vazhdon të qëndrojë në BE sepse të mirat që burojnë nga të qenit në BE janë shumë të ëmdha se të mirat që do të ngeleshin duke qenë jashtë.
“Fokusi tek BE është kaq i rëndësishëm sot sa bëhet çështje themelore e një fushate elektorale. Nuk ka qenë ndonjëherë kaq themelore, e kemi parë si konsekuencë dhe patjetër që kemi shumë gjëra për të thënë edhe për të tjera. Duke filluar nga uji i pijshëm që na tregojnë historira me çezma që nuk nxjerrin ujë. Kur ne e kemi marrë detyrën, katër zona urbane kishte Shqipëria me 24 orë ujë të pijshëm, sot ka 43 urbane dhe 98 rurale dhe janë 11 zona të tjera që janë në kantier”, nënvizoi Rama.