Kryeministri Edi Rama, në një takim me strukturat tatimore për prezantimin e planit për luftën ndaj informalitetit, ka deklaruar se pagat reale në vendin tonë janë “600 euro për sanitare dhe mbi 1100 euro paga mesatare për sektorët e tjerë”, por këto paga nuk deklarohen nga bizneset.
“Këto janë pagat reale për sektorët përkatës, në të gjitha shërbimet e kësaj natyre në Tiranë dhe pak më e ulët në zona të tjera. Por, kur vjen puna te deklarimi i pagave, pasqyra është komplet tjetër. Ne jemi i vetmi vend i rajonit që e kemi biznesin e vogël me 0 taksa. Sa për kuriozitet, nuk ka vend tjetër në botë besoj, ku vetëm 10% e bizneseve paguajnë tatim-fitimi. 90% janë të çliruara nga barra e tatim-fitimit, si rezultat i një strategjie dhe vendimmarrje të qeverisë sonë prej vitesh tashmë, që kemi vendosur që deri në vitin 2029 biznesin e vogël ta lëmë pa taksa. Kjo për t’i dhënë frymëmarrje që të zhvillohet. Por, ka një shifër tjetër akoma më të jashtëzakonshme: në Shqipëri vetëm ¼ e bizneseve paguajnë TVSH. Na mungon kontributi i sipërmarrjes te buxheti që shkon për pensionet. Si do t’i bashkojmë ne këto të dyja? Që edhe i kemi dhënë lehtësira sipërmarrjes, edhe sipërmarrja vjedh pensionistët… Më falni, se fjala është shumë e rëndë, por nuk e di çfarë emri t’i vë tjetër. Është grabitje sepse sigurimet shoqërore janë detyrimi i parë, edhe përpara taksave”, tha Rama, shkruan A2 CNN.
“Nëse duam të shtojmë pensionet, edhe nëse i shtojmë në mënyrë të njëanshme, nuk i shtojmë dot sa duhet nëse nuk futet në lojë pala tjetër, që janë sipërmarrësit. Kur të shkoni te dera e botës tjetër, ku nuk ka karta krediti dhe nuk funksionon leku në dorë, do të dalë Shën Pjetri dhe kur t’i thoni se çfarë keni bërë. Qoftë edhe për këtë moment, ato që u takojnë pensionistëve nuk duhet të diskutohen. I falen Allahut 5 herë në ditë dhe nuk i paguajnë sigurimet shoqërore ashtu siç duhet”, u shpreh Edi Rama.