Në kryeministri, Edi Rama ka hapur dyert për një tjetër shfaqje politike: “audicionet” për qeverinë e re. Prej dy ditësh, ministrat, ish-ministrat dhe madje edhe ndonjë biznesmen i njohur kosovar, si Behgjet Pacolli, kanë parakaluar në zyrën e kryeministrit. Zyrtarisht nuk dihet nëse bëhet fjalë për konsultime për kabinetin e ri apo për punime në ndonjë kantier, raporton A2.
Ndërkohë, socialistët e thjeshtë mbeten spektatorë: as nuk konsultohen, as nuk informohen. Emrat e qeverisë së katërt të Ramës ata do t’i mësojnë njësoj si qytetarët e tjerë – nga lajmet e mbrëmjes. Ministrat mësojnë në televizor se janë bërë ministra, të tjerët zbulojnë se janë shkarkuar nga një telefonatë e ftohtë.
Edi Rama e ka qeverisjen e vendit në një spektakël televiziv, ku loja zhvillohet në prapaskenë mes pak njerëzish dhe biznesmenësh të privilegjuar, ndërsa partia dhe publiku ndjekin shfaqjen në ekran.