Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mori pjesë të mërkurën në punimet e Samitit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor mbajtur në Bruksel.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor ishte tema kryesore e këtij Samiti
Rama ka publikuar në rrjetet sociale fotoalbumin nga ky Samit ku para nisjes së punimeve ai u prit nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa.
“FotoALBUMI i një dite afrimi të mëtejshëm me Europën, ku u mbështet fuqimisht plani ynë i përbashkët me Komisionin Europian, për mbylljen e negociatave në fund të vitit 2027”, shprehet Rama.
Liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor, përmes një deklarate përfundimtare, u dakordësuan për përshpejtimin e procesit të zgjerimit dhe ku vendeve të rajonit iu kërkua t’i zgjidhin mospajtimet.
“BE mirëpret vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të respektuar dhe për t’u përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe angazhimin e ritheksuar ndaj përparësisë së demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit”, thuhet në deklaratë.