Korpusi i laboratorëve të referencës pranë Institutit të Shëndetit Publik është një hapësirë moderne prej 2900 m², e cila po ndërtohet me buxhetin e shtetit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier. Kreu i qeverisë u shpreh se puna po vijon me ritme të larta për trefishimin e kapaciteteve laboratorike.
Rama tha se “ky projekt strategjik do të rrisë ndjeshëm nivelin e biosigurisë sipas standardeve të BE-së, duke mundësuar: testim të shpejtë dhe të saktë; teknologji të avancuar laboratorike; siguri maksimale për specialistët; kërkim shkencor dhe inovacion”.
Kryeministri Rama u shpreh se ky është një tjetër hap për sigurinë shëndetësore kombëtare dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Ky investim i buxhetit të shtetit përmirëson po ashtu parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, rrit sigurinë shëndetësore kombëtare dhe forcon kërkimin shkencor në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.
Laboratorët do të pajisen edhe me aparatura të teknologjisë së fundit dhe me kushte bashkëkohore pune për ekspertët dhe stafin e ISHP-së duke garantuar përgjigje sa më efektive, në kohë dhe të sigurta për shëndetin publik.
Gjithashtu, me fonde nga buxheti i shtetit do të rikonstruktohet edhe godina qendrore e ISHP-së.