Sot shënohet 113-vjetori i krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të formuara menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 1912.
Kryeministri Edi Rama uroi Forcat e Armatosura në 113-vjetorin e krijimit të tyre përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
“113 vjet Forcë e Armatosur”, shkruan Rama.
Më 4 dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u krijua Ushtria Kombëtare. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës)ë e drejtuar nga Mehmet Dralla (Tetova) dhe Shtabi i Përgjithshëm i drejtuar nga major Ali Shefqet Shkupi.
Strukturat kryesore përbërëse të saj ishin forcat aktive, rezervë ato vullnetare si edhe Xhandarmëria me 12000 personel gjithsej.
Në kuadër të angazhimeve politike të Republikës së Shqipërisë, në luftë kundër terrorizmit, Forcat e Armatosura janë angazhuar gjithashtu dhe marrin pjesë aktive në operacione ndërkombëtare, në misione të ndryshme jashtë vendit, si pjesë e pandarë e operacioneve të drejtuara nga NATO, BE, OKB dhe koalicionet e përbashkëta të partnerëve tanë strategjike.
Më 9 shtator 1996, FARSH kanë filluar misionin e parë në Bosnje-Hercegovinë. Numri i trupave pjesëmarrëse në Operacionet e Mbështetjes së Paqes (OMP) është rritur, ashtu siç është rritur edhe gjeografikisht numri i vendeve apo rajoneve ku ato kanë kryer operacione.
Pjesëmarrja e FARSH në misione paqeruajtëse dhe luftarake buron nga misioni kushtetues i FARSH dhe baza ligjore e përcaktuar për secilin kontribut në misione paqeruajtëse apo luftarake.
Kontribute të FARSH, në operacione ushtarake të drejtuara nga NATO, BE dhe OKB, nga muaji shtator i vitit 1996 dhe deri në dhjetor 2024 janë gjithsej 8.998 ushtarakë.
Forcat e Armatosura janë aktualisht të angazhuara në misione paqeruajtëse dhe luftarake në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Sudani i Jugut dhe Letoni, Bullgari, Irak, detin Egje. Ato kanë përfunduar misionet paqeruajtëse në Irak, Çad dhe Gjeorgji, në Mali, ISAF dhe atë RSM në Afganistan.