Raporti i DASH: Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk i zbaton ligjet për pagën minimale dhe të drejtat e punëtorëve

nga L. M

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk i ka zbatuar në mënyrë efektive ligjet për pagën minimale, orët jashtë orarit dhe standardet e sigurisë e shëndetit në punë, veçanërisht në sektorin e tekstilit dhe ndërtimtarisë. Kështu vlerëson Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2024, përcjell PressOnline.al.

Në raport theksohet se inspektorët e punës, ndonëse kishin autoritet për kontrolle të paparalajmëruara dhe vendosje të sanksioneve, nuk ishin shpërndarë në mënyrë të barabartë në gjithë vendin, gjë që e bënte të vështirë zbatimin e ligjit. Për më tepër, disa shkelës nuk u dënuan, ndërsa gjobat e shqiptuara nuk ishin në nivel me ato për vepra të ngjashme si mashtrimi apo neglizhenca.

Raporti evidenton edhe dobësitë e sektorit informal, i cili përbën rreth 21% të ekonomisë dhe përfshin afërsisht 80 mijë punëtorë të paregjistruar. Shumica prej tyre janë burra, të rinj dhe pensionistë të angazhuar kryesisht në bujqësi, ndërtimtari dhe tregti me pakicë. Për këtë kategori punëtorësh, ligjet e punës nuk zbatoheshin në mënyrë efektive.

Një pjesë e veçantë e raportit i kushtohet të drejtave sindikale dhe lirisë së organizimit. Ligji në fuqi garanton krijimin e sindikatave të pavarura, të drejtën për negocim kolektiv dhe organizim të grevave. Megjithatë, pavarësisht se penalitetet për shkeljet në këtë drejtim ishin të përafërta me ato që lidhen me të drejtat civile, procedurat administrative dhe gjyqësore shpesh pësonin vonesa të gjata.

Në sektorët sindikalë, ligjet për lirinë e organizimit zbatoheshin në mënyrë më efikase, por raporti thekson se punëtorët shpesh hezitonin të ankoheshin për shkak të frikës nga hakmarrja. Afërsisht 22% e të punësuarve në vend janë pjesë e sindikatave, kryesisht në administratën publike, ndërsa vetë sindikatat shpesh akuzojnë për ndikim të politikës dhe punëdhënësve në aktivitetet e tyre.

Raporti i DASH për vitin 2024 ofron një pasqyrë të qartë mbi mangësitë e zbatimit të ligjeve për të drejtat e punëtorëve dhe sfidat me të cilat përballet Maqedonia e Veriut në këtë fushë. (PressOnline.al)

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More