Nisma për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje po shoqërohet me rikualifikimin urban të zonave të çliruara, të cilat po u kthehen qytetarëve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga ndërhyrja që po kryhet në sheshin “Isa Boletini” në Shkodër, që po po u kthehet qytetarëve.
Rama bëri të ditur se pas prishjes së objekteve që kishin zënë hapësirën publike, ka nisur rehabilitimi i lulishtes, për ta rikthyer atë në një hapësirë të gjelbër, të hapur dhe funksionale për të gjithë.
Strukturat e bashkisë së Shkodrës janë angazhuar në terren në këtë fazë të dytë që synon shtimin e hapësirave publike rekreative për komunitetin.
Në të gjithë territorin e vendit, po vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.
Kjo nismë synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet, ndërkohë që paralelisht janë ashpërsuar edhe masat për forcimin e kontrollit, mbrojtjen e hapësirave publike dhe zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit.