Shkup, 11 nëntor – Riformatimi i qeverisë duket se po shndërrohet në një prej testeve më serioze për kohezionin e koalicionit qeverisës mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit shqiptar VLEN. Arsyeja formale është e qartë pas fitores së Izet Mexhitit në Komunën e Çairit, janë liruar dy prej posteve që ai mbante në pushtetin qendror i zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Mjedisit dhe Ekologjisë. Por pas largimit të tij nga qeveria, nis dilema e madhe politike kush do t’i zëvendësojë këto pozita dhe a do të ruhet balanca e pushtetit mes partnerëve? shkruan Zhurnal.
Çfarë po ndodhë mes VMRO-VLEN?
Pas një bashkëpunimi të frytshëm në zgjedhjet lokale partnerët qeveritar VLEN-VMRO po ndodhë një plasaritje sa i përket riformatimit të qeverisë. Fjala është për pozitat e Izet Mexhitit se kush dhe si do të zëvëndësohen. Mes tjerash, është përfolur që VLEN-it t’i merret edhe Ministria e Shëndetësisë.
Në mënyrë të natyrshme, pritshmëria nga radhët e VLEN-it është që këto pozitat e Izet Mexhitit të mbeten brenda kuotës së tyre qeveritare. Në fund të fundit, Mexhiti ishte përfaqësues i këtij blloku politik dhe logjika politike kërkon që zëvendësimi të ndodhë nga e njëjta anë e koalicionit. Por deklaratat e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski duket se kanë krijuar valë pakënaqësie në kampin e partnerit shqiptar.
Në konferencën e fundit për shtyp, Mickoski u shpreh prerë se “VLEN nuk do të ketë një resor më shumë”, duke nënkuptuar se përbërja qeveritare nuk do të zgjerohet në favor të tyre. Edhe pse e tha në mënyrë të kujdesshme, deklarata përmban një mesazh të qartë politik kufijtë e ndikimit të VLEN-it në qeveri nuk do të zgjerohen, pavarësisht lëvizjeve kadrovike.
Më interesante bëhet kur Mickoski foli për emrin e Bekim Salit si kandidat të mundshëm për postin e zëvendëskryeministrit. “E njoh Bekimin, kam mendim të mirë për të, por duhet të diskutojmë”, tha ai, duke lënë të hapur interpretimet për një proces negociator që mund të zgjasë. Por paralelisht, kjo frazë tregon edhe një hierarki të brendshme ku fjala e fundit mbetet e kryeministrit një qëndrim që Mickoski e përforcoi me deklaratën se “VMRO është partia më e madhe në vend, unë jam kryeministër dhe unë vendosi”.
Fitorja në zgjedhje lokale i bëri më të zëshëm VLEN-in –
Në anën tjetër, reagimi nga VLEN ishte i menjëhershëm dhe i qartë. “Nëse VMRO është partia e parë, ne jemi partia e dytë. Bekim Sali do të jetë zëvendëskryeministër”, thanë nga VLEN, duke sinjalizuar se nuk janë të gatshëm të tërhiqen nga kërkesa e tyre legjitime për ta mbajtur pozitën që deri më tani iu takonte.
Ky shkëmbim deklaratash, në thelb, tregon për tensionet e para serioze brenda koalicionit qeverisës. Në një fazë kur qeveria pritet të rifreskojë strukturën e saj, procesi po merr formën e një beteje politike për ndikim dhe për ruajtje të ekuilibrave të brishtë etnikë e politikë në vend.
Për VLEN-in, çështja nuk është thjesht emri i Bekim Salit apo posti i Mexhitit. Bëhet fjalë për pozicionin e tyre në strukturën e pushtetit dhe për respektimin e marrëveshjes politike mbi të cilën u ngrit qeveria. Ndërsa për Mickoskin dhe VMRO-në, mbajtja e kontrollit mbi përbërjen e kabinetit është një mënyrë për të treguar autoritet dhe për të mos lejuar që partneri të fitojë terren më shumë se sa është parashikuar.
Nëse palët nuk arrijnë të gjejnë një kompromis të shpejtë, riformatimi i qeverisë mund të kthehet në “mollë sherri” të vërtetë, që do të testojë jo vetëm stabilitetin e koalicionit, por edhe besueshmërinë e tij përballë opinionit publik. Sepse, në fund të fundit, çdo riformatim nuk është vetëm çështje teknike, por reflektim i marrëdhënieve reale të forcës mes partive që e ndajnë pushtetin.
Për momentin, mbetet të shihet nëse VLEN do të arrijë të ruajë dy resoret që i takonin Izet Mexhitit, apo nëse Mickoski do të imponojë një zgjidhje që do ta forcojë pozitën e tij në dëm të partnerit shqiptar. Një gjë megjithatë është e qartë riformatimi që duhej të ishte formal, tashmë është kthyer në testin e parë të madh të këtij koalicioni. /Zhurnal.mk