Muaji nëntor shënoi një tjetër periudhë pozitive për aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke konfirmuar rolin e tij si porta kryesore ajrore e Shqipërisë dhe një nyje e rëndësishme lidhëse në rajon.
Gjatë këtij muaji, aeroporti përpunoi gjithsej 765 890 pasagjerë, ndërsa u realizuan 4 490 fluturime drejt 67 destinacioneve në 21 shtete. Rritja e fluksit lidhet drejtpërdrejt si me vijimin e kërkesës turistike edhe pas sezonit veror, ashtu si edhe me zgjerimin e rrjetit të lidhjeve ajrore.
Sipas të dhënave të TIA-s, destinacionet më të frekuentuara gjatë kësaj periudhe mbetën Milano, Londra, Roma, Bolonja dhe Pisa, duke reflektuar lidhjet e forta me tregjet kryesore europiane.
Kjo performancë e transportit ajror lidhet ngushtë me ecurinë pozitive të sektorit të turizmit, i cili ka shfaqur sezonalitet të theksuar në tremujorin e tretë të vitit 2025.
Për 11-mujorin e këtij viti, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kanë arritur në rreth 12 milionë, në rritje krahasuar me vitin 2024 dhe me vitet pararendëse. Të dhënat tregojnë një rritje progresive të qëndrueshme që nga viti 2021, tendencë që pritet të vijojë edhe në periudhat në vijim.
Një tjetër tregues domethënës për cilësinë e zhvillimit të turizmit janë netqëndrimet, të cilat janë rritur nga viti në vit. Për vitin 2025, një turist që viziton Shqipërinë qëndron mesatarisht 9 ditë, çka reflekton rritje të ofertës turistike dhe diversifikim të produkteve.
Në aspektin ekonomik, sektori i akomodimit dhe aktivitetet e lidhura me hotelet dhe restorantet kanë dhënë një kontribut të ndjeshëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ky sektor është rritur me 16% në terma nominalë dhe me 3,43% në terma realë gjatë 9-mujorit të 2025.
Ecuria pozitive e turizmit konfirmohet edhe nga të dhënat e bilancit të pagesave. Në nivel nëntëmujor, shërbimet kanë sjellë rreth 6,5 miliardë euro në ekonominë shqiptare, me një rritje prej 14%, ndërsa shërbimet e udhëtimeve janë rritur po ashtu me 14%, duke gjeneruar 4,4 miliardë euro të ardhura.
Rritja ekonomike e vendit gjatë këtij viti është mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe veçanërisht nga turizmi dhe udhëtimet, ku Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon të luajë një rol kyç në lidhjen e Shqipërisë me tregjet ndërkombëtare.
