Në kuadrin e ri makroekonomik për vitet 2027–2029, qeveria ka zgjedhur të mos ndryshojë skenarin optimist të rritjes ekonomike: 4% këtë vit, 3.9% në 2027 dhe 4.1% në 2028, sipas dokumentit të botuar në Fletoren Zyrtare. Një tablo e lëmuar statistikore që, në thelb, fsheh një realitet gjithnjë e më problematik të ekonomisë shqiptare.
Sipas projeksioneve zyrtare, ekonomia pritet të rritet në mënyrë të qëndrueshme, e mbështetur nga konsumi, investimet dhe turizmi. Por kjo rritje projektohet në një moment kur tre shtyllat e ekonomisë prodhuese—eksportet e mallrave, bujqësia dhe industria—janë në rënie të vazhdueshme, duke sinjalizuar dobësimin strukturor të vendit.
Rritja e parashikuar pritet të gjenerohet pothuajse ekskluzivisht nga kërkesa e brendshme. Konsumi privat dhe investimet shfaqen si motorët kryesorë, ndërsa kërkesa e huaj neto mbetet me një rol dytësor dhe vetëm “moderues”. Me fjalë të tjera, ekonomia nuk po rritet duke prodhuar më shumë apo duke eksportuar më mirë, por duke shpenzuar më shumë brenda, shpesh mbi baza të brishta.
Konsumi parashikohet të rritet mesatarisht me 2.9% në vit, ndërsa investimet me 4.9%, të nxitura nga një supozim optimist për rritjen e besimit dhe lehtësimin e kreditimit. Por këto janë supozime, jo rezultate. Ato nuk adresojnë faktin se të ardhurat reale, produktiviteti dhe kapacitetet prodhuese nuk po rriten me të njëjtin ritëm.
Eksportet parashikohen të vijojnë një “trend pozitiv” me rritje mesatare 4.6% në vit gjatë periudhës 2027–2029, kryesisht falë turizmit. Kjo do të thotë se eksportet e shërbimeve po maskojnë rënien e eksporteve të mallrave. Në praktikë, prodhimi bujqësor është tkurrur, industria ka humbur peshë dhe konkurrueshmëria e ekonomisë është dobësuar, duke e bërë këtë optimizëm më shumë dëshirë sesa analizë.
Edhe nga ana e ofertës, vetë projeksionet e qeverisë pranojnë një zhvendosje të qartë drejt një ekonomie jo-prodhuese. Bujqësia parashikohet të rritet me vetëm 0.2% në vit—praktikisht zero ndikim në PBB. Industria me 2.6%, një kontribut minimal për një sektor që duhet të ishte motor zhvillimi. Ndërkohë, shërbimet dhe ndërtimi mbajnë barrën kryesore të rritjes, duke thelluar varësinë nga sektorë me produktivitet të ulët dhe ndjeshmëri të lartë ndaj cikleve.
Punësimi, nga ana tjetër, pritet të rritet vetëm simbolikisht, me rreth 0.1% në vit. Zgjerimi i forcës së punës nuk vjen nga hapja e vendeve të reja në sektorët prodhues, por nga rritja e pjesëmarrjes, një sinjal tjetër i mungesës së dinamikës reale në ekonomi.
Në fund, rritja e parashikuar ekonomike nuk mbështetet në një ringritje të prodhimit, të eksporteve apo të industrisë, por në konsum më të lartë, turizëm më intensiv dhe kushte financiare më të favorshme. Është një model rritjeje i brishtë, i varur nga faktorë afatshkurtër, ndërkohë që baza prodhuese e vendit vazhdon të gërryhet. Një rritje që duket mirë në letër, por që në realitet po ndërtohet mbi themele gjithnjë e më të dobëta.